Në Spitalin e Përgjithshëm te Gjilanit, për gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë qenë të shtrirë 6 mijë e 615 pacientë, me gjithsej 25 mijë e 580 ditë shërimi.
Këto shifra i bëri të ditura, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, gjatë paraqitjes se raportit të punës, në mbledhjen e Bordit Drejtues, të mbajtur në Spitalin e Gjilanit.
Në mbledhje të Bordit Drejtues, Kryesuesi, Naim Bardiqi, tha se indikacion kryesor i performancës së institucioneve shëndetësore është shfrytëzimi dhe performanca e stafit, përkatësisht burimeve njerëzore, përfshirë stafin mjekësor dhe ate jo mjekësorë.
” Indikatorët kyç është mbulueshmeria e shtretërve në përqindje, shfrytëzueshmerisë së kapaciteteve dhe shfrytëzueshmëria e pajisjeve mjekësore” theksoi ai.
Në takim u diskutua performanca e secilit Repart të Spitalit, me arsyeshmërinë e shfrytëzimit të kapaciteteve, me qëllim të ngritjes se performancës.
Nga drejtori i Spitalit, u kërkua të ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësim të performancës se reparteve dhe të Spitalit ne përgjithësi.
Në takim te Bordit Drejtues, raportin e punës e paraqiti edhe Afrim Cana, Zëvendësues i drejtorit të Qendrës se Shëndetit Mendor dhe Shtëpive për Integrim, i cili tregoi për trajtimin dhe shërbimet që ofrojnë për klientët.
Anëtarët e Bordit Drejtues vizituan disa nga repartet e Spitalit. /2LONLINE/