Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka bërë me dije se në kryesinë e këtij subjekti kanë arritur marrëveshje, që në zgjedhje të parakohshme kandidate për kryeministre të jetë Vjosa Osmani. Ai tha se si kandidatë kanë pasur Lufti Hazirin dhe Vjosa Osmanin dhe unanimisht Osmani kishte marrë besimin.
Kandidatja e LDK-së për kryeministër, Vjosa Osmani ka premtuar se Kosovën do ta kthejë në rrugën e drejtë.
Ajo shtoi se i garanton qytetarët së asnjëherë më nuk do të ndihen se nuk kanë zë. “Do të jemi të gatshëm që Kosovës t’ia kthejmë dinjitetin dhe qytetarët tanë të ndihen krenarë e jo të turpëruar me liderët e vetë”,ka thënë Osmani.
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka falënderuar kreun e LDK-së, Isa Mustafën, që ia ka lënë në dorë politikat e partisë gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa ka thënë se Vjosa Osmani do të jetë pa dyshim kryeministrja e Kosovës.
“Unë e falënderoj kryetarin për besimin që më delegoi politikat zgjedhore. Vjosa Osmani do të jetë kryeministre e Kosovës pa asnjë dyshim. Do ta rikthejmë LDK-në si forcën e parë politike”, ka thënë Haziri