Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e votimit të projektligjit për shndërrimin e FSK në ushtri, me që rast edhe u fol për rendësin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Të pranishëm në këtë seancë ishin pos udhëheqësve komunal, këshilltarëve të Kuvendit, edhe familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të OVL-së, policisë së Kosovës, përfaqësues të bashkësive fetare, mediave, shoqërisë civile dhe të pranishëm të tjerë.
Kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, duke hapur këtë seancë, tha se kemi thirr këtë seancë solemne, pasi që sot vendi ynë shënon ndër datat më të rëndësishme në historinë e saj, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Formimin e Ushtrisë së saj.
“Sot jemi tubuar në këtë seancë solemn për të shprehur respektin dhe konsideratën për të gjithë ata dëshmor, invalid të luftës, familjet e tyre si dhe për të gjithë ata intelektual dhe kontribuues që në rrethana të ndryshme u angazhuan dhe u sakrifikuan për ndërtimin e shtetit të tyre e i cili shtet do të ishte i mangët pa ushtrinë e saj e cila sot po behet realitet”, tha kryesuesi I Kuvendit Naim Pira.
Ndërkaq kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti, në fjalën e tij ka shprehur konsideratë dhe falënderim për gjithë ata që mbështetën proceset e transformimit të FSK në ushtri të Kosovës.
“Kosova si shtet i pavarur, me integritet dhe sovranitet të garantuar territorial, me subjektivitet të plotë ndërkombëtar, si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit, me sukseset e arritura në fushën e sigurisë dhe me ndihmën e paarsyeshme të aleatëve të saj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së madhe e miqve tjerë ndërkombëtar, po transformon Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Ky vendim i transformimit, vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Forcave të Sigurisë së Kosovës me NATO-në dhe ushtrinë amerikane dhe trajnimeve të suksesshme në gjetjen e modaliteteve për ndërtimin e kapaciteteve operative të mbrojtëse”, ka thënë Haliti.
Ai më tej ka theksuar se në këtë ditë të madhe të historike për Kosovën, kujtojmë sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e kësaj toke, por edhe ata që një jetë të tërë ia kushtuan duke punuar për të mirën e popullit dhe të atdheut.
“Për të qenë të lirë dhe sovran, por edhe për të ndërtuar Kosovën si shtet të lirë e të pavarur me ushtrinë që do të kujdeset për sigurinë e territorit të saj. Të arriturat e deritanishme, na obligojnë që të ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë demokratike. Të krijojmë një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe të ndërtojmë një vend në të cilin të gjithë qytetarët jetojnë dhe punojnë lirshëm, duke e ndërtuar të tashmen dhe duke e parë të ardhmen për vete dhe për brezat që vijnë. Ta çojmë vendin tonë përpara, duke kontribuar secili në fushën e vet, duke çmuar dhe duke vlerësuar punën e përkushtimin, duke punuar në përparimin e atdheut”, ka thënë kryetari Haliti.
Në këtë seancë, foli edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Qemaj Rexhepi, i cili pos që ju uroj të gjithëve formimin e ushtrisë së Kosovës ndër tjerash tha se nga sot të gjithë jemi ushtarë të saj.