Zëvendëskryetari i Komunë së Vitisë, Hasan Aliu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, priti në takim përfaqësues nga Komisioni komunal për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave të komunës së Vitisë, ku u diskutua rreth procesit, përgatitjeve dhe zhvillimeve të reja në projektin e Regjistrimit të Popullsisë, i cili planifikohet të mbahet këtë vit.
Në këtë takim u dha një njoftim i shkurtër mbi përgatitjet e Komisionit Komunal për regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare, si dhe për zgjedhjen e sekretarit të këtij komisioni. I pranishëm ishte edhe Guxim Neziri nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, i cili u njoftua më për së afërmi me ecurinë e përgatitjeve të këtij regjistrimi në komunën e Vitisë.
Me këtë rast, zv.kryetari Aliu u shpreh se ky regjistrim ka rëndësi të madhe për vendin, prandaj komuna e Vitisë do të ofrojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për regjistrimin e plotë të popullsisë dhe ekonomive familjare.
Në këtë takim u bë e ditur që ky regjistrim i popullsisë do të jetë gjithëpërfshirës dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë të obliguar ligjërisht që t’i përgjigjen regjistrimit dhe të japin informata të sakta për çdo anëtar të familjes., gjatë këtij takimi. /2LONLINE/