Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Adrian Zeqirin drejtor i Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve-ECMI Kosova, që ka për qëllim luftimin e dukurisë së braktisjes së shkollimit nga ana e fëmijëve.
Ky memorandum i mirëkuptimit, krijon një marrëveshje pune midis Komunës dhe ECMI Kosovës për të zvogëluar numrin e fëmijëve që janë jashtë sistemit shkollor, fëmijëve që kanë braktisur shkollën apo janë në rrezik të braktisjes së shkollimit.
Gjithashtu, synohet ndërtimi i kapaciteteve të zyrtarëve komunal dhe EPRBM-ve përmes programit “Zhvillimi i kapaciteteve për forcimin dhe ngritjen e rezultateve në rritjen e qasjes dhe vazhdimit të vijimit të arsimit për fëmijët e cenuar dhe të margjinalizuar”.
Në bazë të këtij memorandumi, ECMI Kosova do të mbështes zyrtarët komunal gjatë themelimit dhe funksionimit EPRBM-ve komunale shkollore, pastaj të identifikoj dhe regjistroj fëmijët që janë jashtë sistemit shkollor, të ofrojë trajnime për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve komunal, ndërkohë që komuna të ofroj të gjitha dokumentacionin e nevojshëm dhe të dhënat në dispozicion për ECMI Kosovën.