Kuvendi Komunal i Vitisë, sot ka mbajtur mbledhjen e dytë të rregullt, me që rast janë diskutuar dhe miratuar disa pika të rendit të ditës që ishin paraparë për këtë seancë. Fillimisht, kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, ka paraqitur propozimin që pika e rregullt për pyetje dhe interesime të këshilltarëve drejtuar udhëheqjes dhe Qeverisë komunale, të mbetet gjithnjë si pikë e fundit dhe të shtrohet debat rreth çështjeve të caktuara.
Ndonëse disa këshilltar patën vërejtje që kjo pikë të mbetet si deri më tani, para se të fillohet me rendin e ditës, megjithatë me shumicë votash u miratua propozimi që për këtë të diskutohet në fund të seancës.
Në këtë mbledhje, këshilltarët aprovuan propozim vendimin për pezullimin e përkohshëm të nenit 21, neni 13, pika 13.6 dhe nenit 41 të rregullores komunale për taksa, ngarkesa dhe gjoba, që parasheh lirimin nga taksat komunale bizneset e komunës së Vitisë.
Gjithashtu u miratua edhe propozim vendimi për ndryshim-plotësimin e vendimit me nr.01-013/1688 të datës 24.11.2014, për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pronat e Komunës Kompanisë Eko-Energjisë SH.P.K- Pozharan për ndërtimin e mini hidrocentralit.
Ndërsa, u plotësuan edhe komitetet si ai për Arsim, Kulture, Rini dhe Sport, me që rast anëtar të këtij komiteti u emëruan Basri Sylejmani, Mirlinda Sadiku, Samet idrizi, Vehbi Rama dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.
Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale do të përbëhet nga Gjylsime Qamili, Liridona Bislimi, Hidajete Pira, Ekrem Abazi dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.
Komiteti për Shërbime Publike Zekirja Zuka, Sejdi Emini. Avdi Rexhepi, Valentina Hasani dhe një nga shoqëria civile.
Kurse, në Komitetin për Planifikim u emëruan Rifadije Rexhepi, Jakup Demiri, Taulant Haxhiu, Besim Ymeri dhe Melihate Osmani përfaqësuese e shoqërisë civile.