Në Viti u hap sot panairi i produkteve tradicionale vendore me moton “Dita e produkteve bujqësore dhe artizanale të Anamoravës”
Në kuadër të bashkëpunimit në mes të Komunës së Vitisë, konkretisht Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural , Grupit Lokal të Veprimit “Vitia” dhe të shoqatës “Hortikultura” sot në sheshin e qytetit të Vitisë, është hapur panairi i produkteve tradicionale vendore me moton “Dita e produkteve bujqësore dhe artizanale të Anamoravës”.
Ky panair është mbështetur në kuadër të projekti që mbështetet nga MBPZHR të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në hapje të këtij panairi tha se kjo komunë në këto tri vite të fundit ka përkrahur në veçanti shoqatat e grave të cilat sot po ekspozojnë produktet e tyre në këtë panair.
Ai gjithashtu tha se Institucionet Komunale të Vitisë, do të vazhdojnë të mbështesin këto shoqata me qëllim që ato të kenë suksese në aktivitetet e tyre ekonomike ku përfitojnë ato dhe qytetarët në produktet vendore.
Haliti tha se mbështetja e këtyre shoqatave u bë e mundur falë donatorëve të cilët në vazhdimësi po mbështesin idetë kreative të kësaj komune me shoqatat vitiase. Ai gjithashtu ka folur edhe për investimet të bëra në sektorin e bujqësisë.
“Kemi pas planifikuar të investojmë për katër vite 1 milion e 400 mijë euro por vetëm mbi 2 milion 197 mijë euro i kemi realizuar vetëm në vitin 2016”, u shpreh kryetari Haliti duke bërë me dije se kjo komunë do të vazhdoj të punoj në zhvillimin ekonomik të këtij vendi.
Kurse Valbona Ajeti , nga shoqata e grave “Hortikultura” ju drejtua të pranishmit me një fjalë rasti e cila falënderoj ndër tjerash të gjithë ata që kanë ndihmuar këtë shoqatë duke potencuar se ata kanë përfituar në projekte të ndryshme dhe atë falë bashëkpunimit të mirë me DBPZHR.