Kanë filluar sot punimet në renovimin e Shtëpisë së Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”, me që rast parashihet të ri funksionalizohet ngrohja, fasadimi i brendshëm dhe i jashtëm, si dhe riparime të ndryshme që do të ndryshojnë dukjen e tërësishme të objektit.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka theksuar se sot po fillon realizimi i një projekti shumë të domosdoshëm, që ka qenë synim për kthimin e funksionalizimit normal të Shtëpisë së Kulturës.
“Shtëpia e Kulturës ka pasur nevojë të madhe për tu renovuar. Këtij tempulli të kulturës i kanë munguar shumë fusha që e kanë bërë të jetë funksional për zhvillim të aktiviteteve. Ne jemi angazhuar që ta realizojmë këtë projekt dhe ja sot po e fillojmë, sikur edhe projektet tjera që kemi finalizuar dhe ato që i kemi në realizim e sipër”, ka thënë Haliti.
Ai ka përmendur edhe projektet tjera, duke veçuar edhe atë të palestrës sportive, ndërkohë ka bërë të ditur se së shpejti administrate komunale do të dislokohet në objektin e ri të komunës.