Lëvizja Vetëvendosje takoi një grup studentësh ndërkombëtarë në degën Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit të Amsterdamit, të cilët po zhvillojnë një vizitë studimore në Kosovë. Studentët bashkë me profesorin e tyre u pritën nga Kryetari Albin Kurti dhe drejtuesi i Sekretaritatit për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi.
Kurti njoftoi studentët mbi angazhimin e Lëvizjes, duke prezantuar shtyllat programore socialdemokrate të Lëvizjes, dhe punën nëpërmjet Kuvendit, tubimeve e protestave. Këtu u shpjegua edhe domosdoshmëria e aksionit të drejtpërdrejt qytetar në rrethanat e një shteti të kapur dhe autoritar.
Studentët po ashtu diskutuan rreth integrimit të Kosovës në BE, duke u ndalur edhe në rrezikun që përbën rritja e ekstremit të djathtë në Evropë për vetë shtetet e BE-së dhe ato të Ballkanit. Në diskutim u kuptua se shumë prej autorëve dhe teoricienëve mbi të cilët mbështeten linjat politike të Lëvizjes ishin edhe pjesë kryesore e kurrikulave të studentëve.
Universiteti i Amsterdamit do ta vizitojë Lëvizjen sërish vitin e ardhshëm, duke e integruar në planin mësimor të kësaj dege edhe vizitën në Lëvizje. Me këtë rast kryetari Kurti i nxiti studentët që punimet e tyre kërkimore t’i zhvillojnë për Kosovën, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.