Projekti i papërfunduar i fushës sportive ne shkollën fillore “Razim Cokli” në Brodi 2, në komunën e Shtërpcës është bërë zonë që po rrezikon qytetaret e kësaj pjese. Rreziku më i madh vjen nga shembja e dheut dhe personat më të rrezikuar janë nxënësit e kësaj shkolle, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Projekti në fjalë ka qenë i paraparë të kryhet në dy faza – faza e parë në vitin 2016 dhe e dyta në 2017, kurse vlera e projektit është 40,000 €. Por, përveç ngecjes së punimeve, dyshohet edhe për keqpërdorime, pasi që afërsisht 80 metra katrorë është zvogëluar projekti për shkak se nuk është paraparë një mur mbrojtës nga ana e poshtme e rrugës, dhe se ka pasur shumë parregullësi gjatë punimeve në fazën e parë, thuhet tutje në komunikatë.
Në anën tjetër, Kryetari i Komunës e ka caktuar Drejtorin e Arsimit si mbikëqyrës të këtij projekti, gjë që bie ndesh edhe me ligjin. Ndërsa, sa i përket fazës së dytë të projektit, ende nuk ka filluar të punohet dhe as qe janë planifikuar mjete financiare për të për këtë vit fiskal.
Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shtërpcë, disa herë ka ngritur shqetësime për këtë çështje, por edhe në përgjithësi për diskriminimin dhe papërgjegjësinë e Komunës ndaj projekteve në zonat e banuara më shqiptarë. Praktikat diskriminuese si këto duhet të marrin fund, ndaj ftojmë institucionet kompetente që të marrin parasysh shqetësimin e qytetarëve dhe të reagojnë. Ne do të vazhdojmë që të shprehim shqetësimet tona dhe do ta rrisim angazhimin tonë për t’i luftuar padrejtësitë dhe për barazi të të gjithë qytetarëve, pa dallim, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Shtërpcë.