Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tryezë në prag të Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor me synimin që të diskutohet rreth gjendjes socio-politike dhe ekonomike të shqiptarëve në shtetet e ndryshme të Ballkanit dhe interesat kombëtare të shqiptarëve në raport me procesin e integrimit evropian, duke bërë krahasimin edhe me kombet e tjera të rajonit.
Në këtë diskutim morën pjesë profesorë, historianë, publicistë, gazetarë e pjesëtarë nga shoqëria civile.
Nga kjo tryezë e mbajtur në ambientet e Kuvendit të Republikës dhe e udhëhequr nga kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, dolën katër pika që mund ta përmbledhin diskutimin e gjatë të tryezës që zgjati rreth 3 orë.
1. Integrimi i shqiptarëve në Bashkimin Evropian është interes dhe vlerë. Anëtarësimi nuk do të thotë që do të shkojmë në BE por që bëhemi anëtar.
2. Gjashtë vendet në Ballkanin perëndimor të integrohen njëkohësisht. Politikanët e diplomatët shqiptarë ta kërkojnë këtë në Samitin Evropian në Sofje.
3. Zhvillimi ekonomik i përqendruar në punësim dhe drejtësia sociale të jenë prioritet si për pushtetin po ashtu edhe për opozitën.
4. Të bëhet bashkërendimi i faktorëve politikë në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi për politikë të jashtme të harmonizuar. Duhet punuar me pesë shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës që janë anëtarë në Bashkimin Evropian por megjithatë ato nuk duhen konsideruar të njëjta.
Të pranishmit u pajtuan rreth nevojës për integrim në BE, thuhet në komunikatë ne vetëvendosjes.