Ndër prioritet kryesore strategjike të Policisë së Kosovës janë: ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të brendshme, sigurimi i ruajtjes së nivelit të profesionalizmit dhe integritetit të lartë të zyrtarëve të policisë, zbatimi i ligjit në harmoni me praktikat dhe standardet më të mira. Aftësitë dhe shkathtësitë e zyrtarëve policorë janë në zhvillim të vazhdueshëm, me qëllim që në çdo moment t’u përgjigjen sfidave me të cilat ballafaqohen.
Në vitin 2021, Polica e Kosovës, krahas trajnimeve të planifikuara, trajnimeve të brendshme dhe ricertifikimit, ad hoc ka zhvilluar 3 (tri) lloj trajnimesh shtesë, shumë të rëndësishme, në tri fusha specifike, me raste të atyre fushave zyrtarët policorë ballafaqohen çdo ditë:
Trajnimet e realizuara janë:
•Të drejtat e njeriut dhe autorizimet policore
•Trajtimi i rasteve të dhunës ne familje
•Raportimi i informatave në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës.
Numri i zyrtarëve policorë që kanë ndjekur këto trajnime janë si vijon: Të drejtat e njeriut dhe autorizimet policore, janë realizuar 153 trajnime me 3985 pjesëmarrës; trajtimi i rasteve të dhunës ne familje, janë realizuar 114 trajnime me 3734 pjesëmarrës dhe raportimi i informatave në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK), janë realizuar 132 trajnime me 3536 pjesëmarrës.
Pjesëmarrja në këto trajnime ka përfshirë nivelin qendror (Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë) dhe atë lokal (Drejtoritë Rajonale Policore dhe Stacionet Policore), ku kujdes i është kushtuar përfaqësimit etnik dhe gjinor të pjesëmarrësve në trajnime. /2LONLINE.com/