Për nderë të festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Lëvizja Qytetare “Vatra” ka nderuar me mirënjohje 28 aktivistë të çështjes kombëtarë me prejardhje nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Përfaqësues nga Lëvizja Qytetare “Vatra”, kanë thënë se veprimtarë të cilët edukuan breza liridashëse dhe me trupin e shpirtin e tyre kontribuuan për krijimin e Republikës e Kosovës. “Ky aktivitet tashmë është kthyer në traditë, ku çdo vit Lëvizja Qytetare Vatra nderon ata që kontribuuan në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Fikri Mehmeti, zëdhënës i Lëvizjes “Vatra”.
E, kreu i Lëvizjes Qytetare Vatra, Kushtrim Kadriu tha se janë mbledhur sot të nderojnë ata që u bënë urë për të kaluar nga robëria në liri.
“Me këtë aktivitet ne duam të tregojmë se këta të cilët sot ne po i nderojmë, kanë dhënë kafshatën e bukës, kanë paguar 3 %-in, shumë prej tyre lanë edhe vatrat për të kontribuar në çlirimin e republikës së Kosovës, punuan pa rroga në arsim, disa prej tyre lanë trupin në burgjet e Serbisë e disa në betejat e luftës çlirimtare të Kosovës të cilët nuk u kthyen mbrapa në shtëpi”, ka thënë Kadriu
Sipas tij, fatkeqësisht sot luginasëve që jetojnë në Kosovë, nuk janë duke ju dhënë të drejtat elementare si çdo qytetari tjetër i republikës së Kosovës.
“Urojmë që vitet në vijim të mos jenë si nëntë vitet që lamë mbrapa të cilat ishin vetëm përjashtuese dhe refuzuese ndaj qytetarëve luginas që jetojnë në Kosovë’’, ka thënë Kadriu i Vatrës.
Manifestimin e përshëndetën edhe Dibran Fylli nga Shoqata Çamëria, Asllan Qyqalla nga Shoqata e Muhaxhirëve Mbarëshqiptarë dhe veterani Bajram Arifi.