Në një ndeshje për mbamendje, ku çdo gjë ishte e menduar dhe studiuar me tru dhe e zbatuar me këmbë në fushën e gjelbër, Kombëtarja e Kosovës e femrave e përbërë prej vashave U16, U19 e U23, ka triumfuar ndaj Lazios C (përbërja nga rajoni i Lazios) me rezultat të thellë 8:0 në kuadër të turneut ndërkombëtar për femra “IL CALCIO E’ ROSA”.
Pas fitores 3:0 kundër Balzanos, vashat tona në këtë ndeshje dëshmuan edhe më shumë cilësi duke ngadhënjyer ndaj vashave të Lazios, të cilat me gjithë përpjekjet e vazhdueshme nuk arritën të shënojnë të paktën golin e nderit edhe për faktin se gardiania e Kosovës Florentina Kolgeci ishte gjithmonë në vendin e duhur.
Dardanet e nisën serinë e golave qysh në minutën e 7-të përmes Laureta Lulajt. Për rezultatin 2:0 u përkujdes kapitenia Edona Kryeziu që shënoi në minutën e 30-të, ndërkaq në minutën e 33-të Verona Berisha shënon golin e tretë për ta përmbyllur pjesën e parë me rezultat 3:0.
Edhe pjesa e dytë nisi furishëm nga vajzat e Kosovës, të cilat shënojnë për rezultatin 4:0 në minutën e 44-të përmes Kaltrinë Biçkaj. Futbollistja e cila shënoi edhe në ndeshjen kundër Balzanos, arriti të shënojë sërish në minutën e 48-të duke ngritur epërsinë në 5:0.
Futbollistet e Kosovës nuk u ndalen për asnjë çast por vazhduan të sulmojnë, kështu në minutën e 60-të Donika Graiçevci shënoi për 6:0.
Ndërkaq, ishte Njomëza Osmani ajo e cila shënoi për epërsinë 7:0 dhe fundit në listën e shënueseve u regjistrua mesfushorja jonë më e mirë Blertë Shala e cila në minutën e 77-të përmbylli këtë ballafaqim me rezultatin përfundimtar 8:0.
Të kujtojmë se ndeshjet janë zhvilluar nga 40 minuta secila pjesë.
Nesër vashat e kanë ditë pushim, ndërsa ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë pasnesër më 20 shkurt kundër Uellsi C në orën 14.30.