Muhamet HALILI
VARGJE QË SHIHEN NGA NJË PRIZËM TJETËR
(Pak fjalë për vëllimin e posa botuar të Hevzi Mustafës, “Dhembja mban emrin tënd” që doli ditë më parë në dritë, nga Shtëpia botuese BEQIR MUSLIU)
Hevzi Mustafa, nuk është emër i panjohur për dashamirët e fjalës së shkruar. Ai me poezitë, por edhe me tregimet e tij, ka kohë që si fllad vere, ka depërtuar në shpirtin e lexuesit. Krijimet e tija letrare kanë gjetur hapësirë në portale e revista, por edhe janë vlerësuar në ngjarje të ndryshme kulturore – letrare, madje duke marr vëmendjen e jurive dhe duke u shpërblyer, në Gjilan e gjetiu.
Për kënaqësinë tonë si krijues e lexues, këto ditë ai e solli në dritëpërmbledhjen e parë me poezi, “Dhembja mban emrin tënd”, përmes shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.
Nga pikëpamja e renditjes tematike, kjo përmbledhje poezish, është e strukturuar brenda shtatë kapitujve a cikleve, me një karakteristikë duke lënë jashtë kapitujve poezinë, “Ëndërr hyjnore” me të cilën nis libri për ta përmbyllur me një poezi katër vargëshe, Egërsi” e cila përmbyll ciklin e fundit si dhe krejt këtë vëllim poetik me një dilemë që mbetet edhe më tej e hapur: pse ende nuk e hëngër njeriu ujkun apo ujku njeriun.
Përndryshe, vëllimi poetik “Dhembja mban emrin tënd” strukturohet prej shtatë kapitujve a cikleve: Etno, Le të pres dashuria, Ekskluziivisht në Kullë, Nën palmë kokosi, Glemte fragmenter, Orkidea ime dhe Vetmia më gdhend.
Mustafa me vargun e tij, nuk është pesimist, edhe pse një nga poezitë e tija të kësaj përmbledhje mban një titull të ngjashëm “Pesimizëm”, por është një lloj rebeli, një “inatxhi” që ia shpif morali i rrejshëm i shoqërisë sonë, koncepti për atdhedashurinë, dashurinë, femrën…
Për Mustafën njerëzit rrugëtojnë, por nuk e dinë ku shkojnë, andaj ai në këtë botë të rrejshme nuk ngarendë pas famës dhe shkëlqimit sepse nuk i duhen, më tepër “jeton” sot për nesër, i irrituar nga shoqëria demagoge, për të treguar atë se nëse nuk mund të ndryshojë rrjedhën, rri në anën e kundërt të demagogjisë.
Poezitë të cilat vlen të veçohen janë poezia: Kur pushtova qiellin, Legjendat, Rilindur në Helsingør, Mikeshës nga Armenia, Mungesë prezervativi, Dhembja mban emrin tënd, e ndonjë tjetër.
Me botimin e këtij vëllimi poetik, që njëherësh është edhe libri i tij i parë, stimulohet krijimtaria e krijuesve të rinj, nxirrët në pah talentI, përurohen vlera dhe ofrohen për lexuesit vargje që shihen nga një prizëm tjetër.
Botimi i këtij libri është me interes për faktin se poezitë e Mustafës e pasurojnë më tej letërsinë shqipe dhe fuqizojnë edhe më shumë vlerat e përgjithshme letrare-nacionale e më gjerë. /2LONLINE/