Në mes të akuzave e pakënaqësive të mëdha nga disa klube për nivelin e referimit në Kosovë, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani, ka bërë të ditur se Kosova ka aplikuar në UEFA për teknologjinë VAR (Video Assistant Referee).
Gjatë javës së fundit, disa klube – si Feronikeli, Ballkani e Llapi – e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me referimin në Kosovës. Madje, kryetari i Feronikelit, Naser Ramaj, ka akuzuar se gjyqtarët po i shesin ndeshjet për 3000 deri në 5000 euro, duke nxitur kështu hetim nga Prokuroria e Shtetit.
Ndërsa, në mesjavë, gjyqtari anësor i ndeshjes Gjilani – Llapi u sulmua fizikisht nga tre persona, duke mbetur me lëndime. Pas këtij incidenti, Policia i arrestoi tre persona.
Përderisa, klubet dhe FFK-ja e kanë dënuar këtë rast, implementimi i teknologjisë VAR shihet si mundësi e mirë për t’i përmirësuar gabimet eventuale të gjyqtarëve gjatë ndeshjeve dhe një gjë e tillë do të ulte presionin e krijuar gjatë kësaj kohe mbi gjyqtarët.