Ndonëse kreu aktual i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri-Luta, ka deklaruar disa herë se nuk e ka ndërmend të kandidojë edhe për një mandat për kryetar të komunës së Gjilanit, duket se me këtë nuk pajtohen strukturat e partisë së tij LDK-së, pasi Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që udhëheqë edhe me Forumin e Gruas së LDK-së, thotë se aktualisht kandidat i vetëm i LDK-së, është Lutfi Haziri-Luta dhe askush tjetër, duke mohuar kështu zërat për emra tjerë të mundshëm, përfshirë edhe emrin e saj, shkruan 2LONLINE.
Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se strukturat e partisë nuk e kanë thënë akoma fjalën e tyre për kandidaturën për kryetar komune, dhe se tani për tani, nga pozita e kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së, ajo thotë se ky subjekt ka vetëm një emër të kandidatit për kryetar komune, e ai është emri i Lutës, i cili jo vetëm se do të jetë, por edhe do të fitojë dhe do të vazhdojnë qeverisja me të, në krye të Gjilanit, edhe për një mandat katërvjeçarë, shprehet ajo.
E pyetur për atë se edhe emri i saj përmendet si kandidaturë e mundshme dhe se a ka ajo interesim për këtë, Bunjaku – Rexhepi ka thënë se është në politikë dhe se natyrisht ajo ka ambicie të mëdha në rrugëtimin e saj në politikë, por se kur është në pyetje çështja se kush është kandidati me të cilin LDK, do të konkurrojë edhe në zgjedhjet e radhës lokale që do të mbahen sigurisht këtë vit, përsëritë atë se, aktualisht LDK, ka veç një emër, e ai është i Lutfi Hazirit.
Ndërsa, e pyetur për emra tjerë të LDK-së, që megjithatë qarkullojnë në opinion se kanë interesim, por edhe për mundësinë që madje LDK, kësaj here të kandidojë edhe me ndonjë emër që nuk i takon aktualisht strukturës së LDK-së, por mund të vije nga shoqëria civile apo edhe prej fushave tjera të biznesit, profesionit…, ajo tha se nuk do t’i komentojë përfoljet e kuluareve kur janë në pyetje emrat e përfaqësuesve të LDK-së, ndërsa është e prerë dhe nuk do kompromisë, kur është në pyetje mundësia që dikush jashtë LDK-së të kandidohet me siglën e LDK-së, madje duke e quajtur këtë kategori “të huaj”, ajo ka porosi për ta, duke thënë se: ” të huajve” as nuk duhet t’u shkojë ndërmend kjo, sepse është diçka e pamundur”.
Valentina Bunjaku – Rexhepi, që drejton strukturën e grave në LDK, tha se ky subjekt është i traditës, shpresës e besës, dhe se të gjithë ata që duan të jenë konkurrent si të LDK-së, janë procedurat që duhet t’i kalojnë duke u nis që nga aktivet e deri në degë, pastaj duhet dëshmuar me kontribut, për t’iu bërë muhabeti i kandidaturave, çfarëdo qofshin ato.