Kombëtarja e Kosovës për vajzat U19 ka shënuar fitore në ndeshjen e parë në kuadër të turneut kualifikues të Ligës B në Grupin B3 për Euro 2023 që po zhvillohet në Belfast, njofton FFK.
Dardanet e drejtuara nga Albina Rrahmani fituan në duel me Qipron, me rezultat 4:0. Kosova mbizotëroi që nga fillimi i ndeshjes, duke mos e vënë në dyshim për asnjë moment fitoren.
Serinë e golave e hapi Riga Kallaba, në minutën e 23-të, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Floriana Haxhiu, në minutën e 36-të. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, por dominimi i Dardaneve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku u realizuan edhe dy gola tjerë. Fillimisht Albulena Guri shtoi shifrat në 3:0, në minutën e 76-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Lorita Islami, nga penalltia në minutën e 88-të, njofton faqja zyrtare e FFK-së.
Krahas Qipros në grup me Kosovën janë edhe Irlanda Veriore dhe Letonia. Ndeshjen e radhës Dardanet e luajnë kundër letoneve, më 7 prill, derisa në fund luajnë kundër nikoqirit, Irlandës Veriore, më 10 prill.
Deklarata pas ndeshjes
Albina Rrahmani: “Patëm një paraqitje të mirë në këtë ndeshje edhe pse shumica e vajzave deri një ditë më parë as nuk njiheshin mes vete. Në fakt, për këtë grumbullim kemi pasur goxha vështirësi, ngase shtatë lojtare që i kishim në listë nuk janë pajisur me vizë. Si rrjedhojë, në ditën e fundit i ftuam disa vajza që luajnë jashtë për të krijuar ekipin me 18 lojtare. Sikur të mos mjaftonte kjo edhe gjatë udhëtimit patëm disa peripeci, ngase si pasojë e vonesës së fluturimeve bëmë një rrugëtim dyditor deri në Belfast. Sidoqoftë, në fund i mblodhëm forcat dhe me motiv maksimal arritëm të bëjmë paraqitje solide dhe të arkëtojmë tri pikët e para në këtë fazë kualifikuese. Jam e kënaqur me atë çfarë treguan vajzat në këtë ndeshje dhe për fitoren e arritur me rezultat bindës, por ende ka shumë vend për përmirësim në lojën tonë dhe në ditët që kemi para vetes do të mundohemi të punojmë maksimalisht që ta përgatisim sa më mirë ekipin për dy ndeshjet e radhës”, njofton FFK. /2LONLINE/