Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektoren për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, morën pjesë në një takim të rëndësishëm me përfaqësues të universiteteve publike të Kosovës.
Ky aktivitet kishte në fokus përmirësimin e përfshirjes së studentëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e lartë. Diskutimet u përqendruan në ndarjen e përvojave mbi implementimin e kuotave afirmative dhe në identifikimin e sfidave kryesore që hasin këta studentë, përfshirë barrierat ekonomike, sociale dhe kulturore.
Gjatë takimit u theksua nevoja për përditësimin e Udhëzimit Administrativ nr. 09/2016, duke përfshirë:
Përmirësimin e kuotave sipas përkatësisë etnike;
Lehtësimin e procesit të verifikimit të përkatësisë etnike;
Mbështetjen financiare dhe qasjen në shërbime universitare si konvikte dhe menza;
Përdorimin e gjuhëve të komuniteteve etnike në sistemin arsimor.
Të gjitha rekomandimet dhe konkluzionet e dala nga ky takim do të përfshihen në një raport përfundimtar, i cili synon të kontribuojë në krijimin e një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës dhe të drejtë për të gjithë studentët.
Kjo iniciativë nënvizon angazhimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë në Kosovë për të mbështetur barazinë dhe përfshirjen në arsim. /2LONLINE/