Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Pro. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Memli Ymeri drejtor i Programit për të Drejtat Civile – Kosovë (CRP/K), kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e Klinikave Ligjore në Fakultetin Juridik.
Qëllimi i përgjithshëm i kësaj marrëveshje është të ofroj një kornizë në kuadër të së cilës palët mund të zhvillojnë dhe realizojnë aktivitete dhe projekte në bashkëpunim për t’u ofruar studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” mundësitë që të rrisin njohuritë e tyre teorike dhe praktike gjatë vitit akademik, qoftë në semestrin dimëror apo në atë veror, ashtu siç dakordohet mes palëve.
Bazuar në marrëveshje, studentët do të fitojnë njohuri në aspektet teorike dhe praktike të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve kombëtare në fushat në vijim: (1) azili/refugjatët dhe mbrojtja ndërkombëtare dhe (2) pashtetësia.
Sipas marrëveshjes në fjalë, do të organizohen aktivitete të përbashkëta, tryeza të rrumbullakëta, debate interaktive të shkëmbimit të ideve, sesione dhe punëtori, konferenca të simuluara në gjykatë, vizita në institucionet relevante, ushtrime të simuluara, klinika ligjore, praktika dhe aktivitete të tjera. /2LONLINE/