Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar ministrin e Arsimit dhe Shkencës për të raportuar në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, dhe po ashtu ka bërë kërkesë për interpelancë me ministrin në fjalë për këtë çështje. Sot, në ambientet e jashtme të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje organizoi edhe një konferencë për media ku deputeti dhe anëtari i Lëvizjes në komisionin për arsim, Fitim Uka foli për qasjen joserioze të kësaj qeverie karshi fillimit të procesit arsimor.
Uka tha se kjo qeveri e paligjshme nuk e ka prioritet arsimin andaj edhe s’ka se si të ketë plan të mirëfilltë për fillimin e procesit arsimor. Ai përmendi angazhimin e sinqertë të prindërve, mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave për fillimin e procesit mësimor duke kujtuar edhe shqetësimet që ata kanë me gjithë këtë paqartësi që ka lindë për shkak të keqqeverisjes së paligjshme.
“Sinjali i parë dhe më i rëndësishmi që kjo qeverisje nuk e ka fare prioritet arsimin dhe nuk është serioze në këtë drejtim është shkurtimi i buxhetit për arsim (në kohë të pandemisë kur do të duhej të investohej edhe më shumë në fushën e arsimit dhe të mundësohej një proces mësimor normal) për 12.5 milionë euro”, tha Uka, duke kujtuar që arsyetimi i dhënë për këtë ishte se gjithçka ishte në rregull dhe mësimi do të filloj me datë 1 shtator, që nuk ndodhi sipas tij.
“Nuk e kemi të qartë se kur do të fillojë mësimi për klasat e niveleve 7, 8, 9, 10, 11, 12. Nuk e kemi të qartë nëse këto klasa do të fillojnë me skenarin A-B të kombinuar apo ashtu siç thotë edhe ky vendim me një skenar të tretë të cilin shkollat mund ta vendosin vetë, në dakordim me Drejtoritë Komunale të Arsimit. Prandaj, pyetja e natyrshme që shtrohet është ku ishin deri më sot këta që nuk ia dolën t’i identifikojnë të gjitha shkollat dhe potencialet e tyre për të filluar mësimin, dhe si është e mundshme që edhe sot një javë para fillimit të mësimit për këto klasa nuk e kemi të qartë se si do të jetë skenari?!”,
“Krahas kësaj papërgjegjësie totale të këtij ministri të arsimit kemi parë një angazhim të jashtëzakonshëm të stafit të shkollave duke filluar nga menaxherët, drejtorët e deri tek mësimdhënësit, nxënësit e prindërit, për të nisur një vit të ri shkollor. Por me të drejtë sot, shumë mësimdhënës ngrisin shqetësimet e tyre jo vetëm për shëndetin e tyre por edhe të nxënësve, sepse kjo qeverisje iu premtoi që do të marrë parasysh të gjitha ato raste që kanë sëmundje kronike dhe do t’i lirojë nga procesi i mësimdhënies. Por ja që sot as që diskutohet për to”, tha ai.
Uka po ashtu foli edhe për mungesën e kushteve dhe mjeteve për ndjekjen e mësimit ‘online’, si dhe faktin që shumë mësimdhënës janë deklaruar që nuk kanë kompetencën e duhur për të aplikuar mësimin virutal. Ai vuri në dukje edhe paraqitjen e rrejshme e të rrezikshme kundër të gjitha rekomandimeve të IKSHP-së, të z. Hoti në përurimin e shkollave të reja sot, kur përplot objekte shkollore nuk gëzojnë as kushtet bazike për t’i plotësuar rekomandimet e IKSHPK-së.
Deputeti Uka theksoi që në këtë pikë ku është Kosova, duhet të ndjeken mësimet e shteteve të tjera që kanë filluar procesin mësimor. Kjo edhe mund të jetë e pamundshme me këtë qeveri të paligjshme që interesohet vetëm për kompromise e koncesione me Serbinë. Andaj deputeti Uka apeloi te nxënësit, mësimdhënësit, prindërit që të kujdesen, ruajnë dhe ta kenë në fokus shëndetin e tyre