/Përrallë për fëmijë e gjysheve, ligjëruese universitare në kohërat e vjetra/
Nga: Femi HALIMI
Na ishin njëherë një ujk e një dhelpër që jetonin bashkë, e që ishin burrë e grua dhe kumbarë e ndrikull. Këto punë nuk shkojnë kështu tek njerëzit por tek kafshët shkojnë shumë mirë.
Një ditë ashtu, ujku e dhelpra bridhnin pyllit pas gjahut, kur ranë në një qyp. E shpluan qypin dhe panë se ai ishte përplot me mjalt! U gëzuan shumë dhe ujku deh ia nisi të hajë, por dhelpra e mbylli me kapak qypin dhe i tha ujkut:
-Kumbarë, e lëmë qypin në pyll, se nuk shkon mjalti pa bukë. E bëjmë një gropë, e fshehim qypin mirë, e bëj unë një pogaqe nesër të freskët, marrim lugë dhe vijmë këtu, e nxjerrim qypin edhe hamë mjalt me pogaqe!
Ujku megjithë tërrpinë, u ndal dhe u pajtua. Ashtu si fshehën qypin, u kthyen në banesë.
-II-
Të nesërmën dhelpra me mëngjes poqi një pogaqe, bëri lugët gati, ndërsa ujku sillej nëpër oborr me padurim. Dhelpra mandej doli edhe ajo në oborr dhe ndërsa ujku u shtri pakëz derisa të niseshin për në pyll, dhelpra nga fundi i oborrit ia nisi:
-O hoooj!? O hoooj!?…A po aq?! –Pastë jetë, e u rrittë e ja, erdha!
-Kush po të thirrë ndrikull? –ia bëri ujku.
Oh more kumbarë! –shfrau dhelpra. –Një shoqe imja paska lindë një fëmijë! Po m’u dashka të shkoj t’ia urojë!
-E si do t’ia bëjmë me mjaltin ndrikull? -u ngut ujku me gjuhën jashtë.
-Shkojmë nesër kumbarë, -i tha dhelpra, -se nuk bën pa shkuar tani për urim te shoqja, se marre!
Pogaqen po e marr për urim shoqes, por nesër e pjek pogaqen kështu dhe shkojmë tek qypi në pyll!…
Ashtu, dhelpra e la ujkun me gjuhë jashtë dhe iku në pyll. Si shkoi tek vendi ku kishin fshehë qypin, nxorri qypin, i hoq kapakun, nxorr pogaqen e lugën dhe hëngri mjalt me pogaqe, një të tretën e qypit.
Mandej piu ujë burimi dhe pushoi mirë në hije të aheve.
Kur u kthy dikur, e gjeti ujkun në skaj të shpellës të këputur. I tregoi për shoqen, për fëminë dhe për shoqet tjera që kishin qenë në urim.
-Nuk kishte bërë pa shkuar o kumbarë! –ia mbushi mendjen ujkut.
-E po, si ia ngjitët emrin? –foli diçka ujku.
-Niskërr! –gjegji dhelpra.
U rrittë de!, -ia ktheu ujku me gjysmë force, -po mendtë gjithë kohën i kisha tek mjalti ndrikull!
-Nesër kumbarë, e bëj një pogaqe të nxehtë dhe shkojmë në pyll tek qypi! Bëri si bëri dhelpra, e ia pështoll ujkut.
-III-
Të nesërmën dhelpra sërish poq pogaqe dhe ujku pritëte në oborr; kurf dhelpra doli e shkoi nga fundi i oborrit si ditën më parë.
-O hoooj!? –ia bëri sërish. –O hoooj!? –Eh!? Njëmend?! Erdha oj shoqe!…
-Çka ndodhi tani? –pyeti ujku me sytë jashtë.
-Oh more kumbarë! –ia pështoll sërish dhelpra. –Edhe një shoqe tjetër, kjo nga shkrepat, paska një fëmijë, e po duhet të shkoj t’ia uroj, se nuk bën pa shkuar. Mblidhen shoqet e nuk bën!…
Ujku mbet me gjuhë jashtë, sytë kapsoll e i këputur u shtri skaj shpelle, kurse dhelpra mori pogaqen dhe shkoi në pyll tek qypi. Hëngri mjalt me pogaqe, e rrëzoi mjaltin deri në mes të qypit, piu ujë burimi dhe u shtri e pushoi, e fjeti mirë. Mandej kur i dual gjumi, u kthy tek ujku kumbara dhe i tregoi për fëminë e lindur të shoqes, për shoqet e për gjëra tjera, siç e kanë egratë më!…
-E si ia lanë emrin? –foli ujku diçka, sa për të folur diq!
-Gjyskërr! –i tregoi dhelpra.
-Hëm, do emra të rinjë që s’i kam ndi kurrë! –e mbylli ujku dhe fjeti.
-IV-
Të tretën ditë dhelpra sërish poq pogaqen dhe derisa ujku po sillej nëpër oborr, dhelpra dual e shkoi në fund të oborrit…-
-Po më duket se po thirrë dikush o kujmbarë! –i tha ujkut. Mandej ia nisi sërish:
O hoooj! O hoooj! –Jo hej! Uh, sa mirë e u rrittë, e u bëftë plak me mjekërr!,,,
Mandej u kthy te ujku dhe i i tha:
-O kumbarë! –Edhe një shoqe tjetër paska një fëmijë, e po duhet të shkoj t’ia përurojë, se nuk bën!…
-Ku ia qëlluen moj ndrikull të linden fëmijë rend, mu kur na doli mjalti!?
-Eee! –bëri dhelpra. –Shyqyr që na u gjet!…
Ashtu dhelpra edhe atë ditë, mori pogaqen e bajti bishtin në pyll, nxorri qypin e u shtri mirë, e hëngri pogaqe me mjalt derisa e sosi krejt! Mandej piu ujë burimi dhe u shtri dikur, pushoi e fjeti mirë, deri sa ra terri. Mandej si u zgjua, shkoi tek ujku dhe i tregoi të gjitha që kishin ngjarë gjithë ditën e lume!
-Po si ia ngjitën emrin? –sërish pyeti ujku.
-Soskërr! –i tregoi dhelpra…
-V-
Ditën e katërtë, dhelpra poqi pogaqen dhe bëri lugët gati përderisa ujku i zuri derën. Mandej u nisën bashkë, shkuan në pyll tek qypi, nxorrën qypin dhe e shpluan. Kur, panë: qypi ishte i zbrazët krejt!
-Oh!? –bëri dhelpra nga dëshprimi.
Oh! –bëri ujku. –Ndrikull, ku është mjalti?
-Kumbarë, ia ktheu dhelpra, – e paska ngrënë dikush!
-Ndrikull! –ia ktheu ujku. –Po më thotë mendja se ti e pate me dredhi atë punën e shoqeve që të thirrnin!?
-Uf kumbarë! – i preu dhelpra. –Si nuk të vjen marre?!
-Ndrikull!? –i tha për fund ujku. –Mendja po më thotë se ti e hëngre mjaltin!?
-Kurrë nuk është e vërtetë! –Foliu dhelpra me krenari. –Po, pasi the, edhe unë po dyshoj qebesa se nëmos ti e paske hëngër mjaltin!? Unë hajt te shoqet, e ti, fërrt tek qypi këtu!
-Kurrë nuk është e vërtetë! –u mbrojt ujku. –Por, unë po dyshoj se ti e hëngre mjaltin!
-Të provojmë nëse ne dy njëri e hëngrëm mjaltin –propozoi dhelpra. –Të bëjmë kakën dhe kush e bën kakën të kuqe, e ka hëngër mjaltin!
-Në rregull! –pajtoi ujku.
Ashtu ujku e dhelpra, pran e pran, ia kërsitën kakës, e ndërkohë, dhelpra i tha ujkut me kurreshtje, derisa shihte kakën e vet të kuqe:
-Ooo kumbarë! Shih, një tufë delesh atje, në shpat!…
Përderisa ujku kërkonte me sy tufën, me kurreshtje, dhelpra fërrt ndërroi kakat,- të vetën e shtyri nën bythë të ujkut e të ujkut e ngrehu nën bythë të vet. Mandej i tha ujkut:
-Kumbarë, të shohim tani kakat!
Kur ujku këqyri poshtë, pau se kaka e tij ishte e kuqe kurse e dhelprës e verdhë! I nxehur shumë nga inati, se e kuptoi se dhelpra ia hodhi gjithë kohën! Provoi ta kapte ndrikullën e ta shqyente, por dhelpra dinake si është, iku…
Ashtu, -ujku ndiq e dhelpra ik, ujku ndiq e dhelpra ik, -deri tek një thellinë shkrepash në një të çarë përroi të thellë. Aty dhelpra kishte pasur shpellën e vet para se të njihej me ujkun e sa rronte vetëm.
Dhelpra u fut brenda gati, por edhe ujku e arriti dhe e kapi për këmbe. Dhelpra pau se ujku e kapi për këmbe e nuk do ta lëshonte më, e se duhej ta mashtronte disi sërish o të ngordhëte.
-O kumbarë, -ia tha, -e ke kapë rrënjën! –Lëshoje rrënjën e kape këmbën!
Ujku e lëshoi këmbën e dhelprës dhe e kapi rrënjën e një lisi mbi hyrje të shpellës. Dhelpra si u lirua, u fut në shpellë dhe shpëtoi.
-Ah moj bijë! –i tha ujku me dëshprim. –Veç në mos dalësh kurrë!? Unë këtu do të rri!
-Nuk dal kurrë më o kumbarë! –ia priti dhelpra nga brenda.
-Do të dalësh patjetër, se do të ngordhësh brenda për ushqim! –desh e zuri ujku.
-Oh hooo! – u hingiriz dhelpra brenda. –Unë mund të rri brenda pa dalë kurrë jashtë! Këtu kam: pula, gusa, biba, qura, shota!…
-Nuk është e vërtetë! –ia preu ujku.
-E vërtetë dhe shumë e vërtetë! –ia ktheu dhelpra.
-Hajt, të dëgjoj pulat?! –e provokoi ujku.
Dhelpra nga brenda niusi e imitoi pulat, gusat, qurat, bibat!…
Ujku i ngratë, kur dëgjoi gjithë këto dhe kur mendoi mirë se nuk kishte çka të pritëte dhelprën për inat derisa të dilte, se do të ngordhte vetë për ushqim, u tërhoq e iku!
-VI-
Udhëzim për personazhet dhe termet:
Ujku –Politikani amator
Dhelpra –Politikani profesionist
Qypi me mjalt –Kontributi vendor
Pogaqja –votat e qytetarëve
Katër ditët –katër palë zgjedhjet
Shpella e dhelprës –Bashkësia Ndërkombëtare
Këmba e dhelprës –Përvetësimi i pushtetit
Rrënja e lisit –mashtrimi në zgjedhje
Shoqet e dhelprës –Publiku dhe informacioni
Emrat e fëmijëve të lindur –Buxheti nga donacionet kombëtare
Ndërrimi i kakave –Vazhdimi i pushtetit me mjete tjera.