Në ambientet e Kazermës “Evropianet e Rinjë” në Pomozotin, u mbajt sot ceremonia zyrtare me rastin e pensionimit të Komandantit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral brigade Naim Haziri.
Për të uruar me rastin e pensionimit, pjesë e ceremonisë ishin Ministri i Mbrojtjes z. Ejup Maqedonci, zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, gjeneralë, oficerë e nënoficerë të FSK-së, ministra, deputetë, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë, si dhe miq e familjarë të gjeneral Hazirit.
Për kontributin e tij ndër vite, para të pranishmëve foli Ministri i Mbrojtjes z. Maqedonci, me ç ‘rast vlerësoi lartë kontributin e gjeneral Hazirit si në luftë, po ashtu edhe në të gjitha pozitat komanduese në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndër tjera Ministri përmendi periudhën e fillimeve të para të luftës, përkrah heroit Zahir Pajaziti, me ç’rast shtoi “ne sot nuk mund të ja shtrëngojmë dorën heroit Zahir Pajaziti, por kemi mundësi që të i’a shtrëngojmë dorën bashkëluftëtarit, shokut të idealit të Zahirit, gjeneral Naim Hazirit”.
Për punën, përkushtimin dhe angazhimin për shtet ndërtim të gjeneral Hazirit foli edhe zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneral major Enver Cikaqi i cili theksoi “ Gjeneral Haziri është shembulli më i mirë i angazhimit të pakursyer mbi tri dekada, që nga UÇK, TMK dhe FSK në ngritjen dhe avancimin institucioneve të sigurisë në vend”.
Ndërsa gjeneral brigade Naim Haziri në fjalimin e tij, falënderoi të gjithë të pranishmit në ceremoni dhe gjithë ata që pati rastin të punonte përgjatë 32 viteve shërbim në rrugën për çlirim dhe shtet ndërtim.
Në përmbyllje të ceremonisë në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e dhënë , Gjeneral Haziri u shpërblye me medalje për shërbim nga Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i FSK-së. /2LONLINE/