Në përkujtim të figurës së mësuesit dhe pishtarit të shkollës shqipe, atdhetarit Jetish Vishi, është mbajtur sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një Akademi përkujtimore.
Folësit në këtë akademi, rikujtuan veprën jetësore dhe atë arsimore të atdhetarit Jetish Vishi, duke e cilësuar si mësues që hapte shkolla shqipe, e që përhapte rreze dijeje jo vetëm në Kosovë, por edhe në shkolla të Maqedonisë si në fshatin Rashçe të Dërvenit të Shkupit në vitin 1945, në fshatin Zhelinë të Tetovës 1945-1947, e madje arriti të hapte shkollën shqipe edhe në Amerikën tej oqeanike gjatë viteve1973-1977.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në fjalën e tij në këtë Akademi, tha se Jetish Vishi, me punën e tij të palodhshme e me vullnetin e çeliktë për të përhapur rreze dijeje në fushën e arsimit, me sakrificat që bëri për çështjen kombëtare, na bën borxhlinj që ta kujtojmë në përvjetorin e ndarjes fizike nga gjiri familjar e kombëtar, ta kujtojmë me respekt e admirim për punën e tij dyzetvjeçare në fushën e arsimimit dhe emancipimit të gjeneratave të reja, që sot përbëjnë një armatë intelektualësh të profileve të ndryshme të veprimtarive politiko-shoqërore, ekonomiko-arsimore e shkencore.
“Dhe nëse çdo send apo objekt inorganik vjetrohet e amortizohet dhe në fund asgjësohet, puna e mësuesit, e edukatorit të arsimit nuk asgjësohet kurrë, por vetëm shumëfishohet, ndaj vepra edukativo-arsimore e veteranit të arsimit në treva të ndryshme shqiptare, madje edhe tej oqeanike, nëpërmjet nxënësve të tij është shumëfishuar, është shtuar dhe avancuar dhe është përhapur gjithandej në kohë historike e në hapësirë gjeografike”, tha Haliti. /2LONLINE/