Në kuadër të një projekti të përbashkët të komunës së Vitisë dhe Projektit për Aftësi të Punësimit Rural (APR) që financohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation, në Viti sot është bërë shpërndarja e 22 motokultivatorëve.
Pjesë e këtij projekti ka qenë edhe Grupi Lokal I Veprimit “Vitia”, ndërsa qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti, ishte mbështetja e bujqëve , sidomos ata që posedojnë serra dhe merren me prodhimin e perimekulturë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në ceremoninë e ndarjes së këtyre pajisjeve për përfituesit, tha se në kuadër të bashkëpunimit të kësaj komune me projekti Helvetas, sot po realizojmë edhe një projekt të përbashkët, duke e cilësuar atë me një interes të veçantë për bujqit e kësaj komune.
“Ky projekt është edhe një shtytje më shumë për fermerët që merren çoftë me prodhimtarin e perimekulturës, po ashtu edhe pemëtarisë, pasi që do të kenë një mundësi më të lehtë që përmes këtyre pajisjeve të mund të ua lehtësojmë zhvillimin e punëve. Natyrisht se kjo është edhe në të mirë të prodhuesve dhe të krijimit të zinxhirit dhe të rrumbullakimit të procesit prodhim- përpunim dhe të nxitjes së konkurrueshmërisë ”, u shpreh Haliti.
Në këtë donacion të përbashkët janë përfshirë Projekti për Punësim Rural APR me 25 %, përfituesi (fermeri) 25 % dhe komuna e Vitisë ka participuar me 50 %.