Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, së bashku me ekipin e tij nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, sot kanë vizituar Komunën e Podujevës ku u pritën nga kryetari Shpejtim Bulliqi. Qëllimi i kësaj vizite ishte realizimi i një ushtrimi tavoline, pas kërkesës së shtruar nga Komuna e Podujevës.
Ky ushtrim tavoline, i titulluar ”Llapi 2024”, ishte me skenar vërshimi në Komunën e Podujevës.
Objektiv kryesor i këtij ishin: Testimi i planeve, procedurave, protokolleve, marrëveshjeve dhe memorandumeve të Komunës se Podujevës, për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, duke u fokusuar në parandalim, gatishmëri, reagim dhe rimëkëmbje, e në rastin konkret, me skenar për vërshimet, si një rrezik që e kërcënon vazhdimisht komunën e Podujevës.
Ushtrimi erdhi si rezultat i ofrimit të bashkëpunimit mes Komunës së Podujevës dhe Ministrisë se Mbrojtjes dhe FSK-së, për realizimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile.
Në fund të ushtrimit u mbajt edhe analiza pas veprimit, ku pjesëmarrësit diskutuan për fuqitë, mangësitë dhe përmirësimet e kapaciteteve menaxhuese komunale, për fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. /2LONLINE/