Me qëllim të menaxhimit efikas të kohës dhe respektimit të afateve të vendosura nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA), dekanja e Fakultetit Juridik në UKZ, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, ka thirrur një takim pune me ekipin përgjegjës për hartimin dhe përmirësimin e Raportit të Vetëvlerësimit (RVV) për programet Bachelor dhe Master Juridiko-Penal.
Në këtë takim u diskutua progresi i deritanishëm dhe hapat e mëtejshëm për finalizimin e raportit, i cili përbën një proces të rëndësishëm për përmbushjen e standardeve të cilësisë të kërkuara nga AKA. Dekanja Krasniqi vlerësoi lartë angazhimin dhe përkushtimin e secilit kontribuues në këtë proces dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të përmbyllur raportin me sukses.
“Ky raport është rezultat i angazhimit të përbashkët të të gjithë kontribuuesve dhe është dëshmi e punës dhe përkushtimit tonë për të siguruar një dokument cilësor dhe të përmbushur sipas kërkesave të AKA-së,” u shpreh dekanja Krasniqi gjatë takimit.
Pjesëmarrësit e takimit diskutuan për përmirësimet e fundit në raport, përfshirë riorganizimin e përmbajtjes, përmirësimet gjuhësore, shtimin e materialeve mbështetëse si tabelat dhe lidhjet, si dhe plotësimin e programeve të lëndëve përkatëse. Gjithashtu, u përcaktuan afatet për secilin standard për të siguruar përfundimin në kohë dhe me cilësi të lartë.
Në përmbyllje, dekanja Krasniqi inkurajoi anëtarët e ekipit që të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim dhe të koordinohen ngushtë në mënyrë që të arrihet një rezultat i shkëlqyer dhe në përputhje me të gjitha kërkesat e AKA-së. /2LONLINE/