Në Viti, u mbajt një takim lidhur me progresin e hartave zonale komunale, i thirrur nga kryetari i komunës, Sokol Haliti në mes të komisionit konsultativ komunal dhe kompanisë së kontraktuar ” INSI”. Gjatë këtij takimi i pari i Vitisë theksoi rëndësinë e hartimit të këtij dokumenti nga perspektiva urbanistike, duke e konsideruar një hap të domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
“Duhet të respektojmë planin dinamik dhe të krijojmë një dokument që i shërben interesave të komunës sonë,” tha Haliti, duke nënvizuar se hartimi i hartave zonale është një obligim ligjor që komuna duhet ta përmbushë.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e kompanisë INSI, ndër ta Rrustem Baftjari, Venera Gërmizaj dhe Mumina Morina, të cilët ndanë ekspertizën e tyre në lidhje me hartimin dhe zbatimin e këtij plani. Rrustem Baftjari shpjegoi procedurat ligjore për përgatitjen e hartave zonale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes komunës dhe qytetarëve për të siguruar një proces të hapur dhe transparent.
Përfaqësuesit e kompanisë INSI njoftuan gjithashtu se do të ketë prezantime publike për hartën zonale dhe informimin e qytetarëve, për të garantuar pjesëmarrje aktive në këtë proces. Ata shtuan se, ndonëse do të bëjnë përpjekje që dokumenti të përfundojë brenda afateve të caktuara, disa vonesa mund të shkaktohen nga faktorë të jashtëm që nuk janë nën kontrollin e tyre.
Ky takim përforcoi angazhimin e përbashkët për zhvillimin urban të komunës së Vitisë dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore për hartat zonale. /2LONLINE/