Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në Viti, sot ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt, ku me theks të veçantë është biseduar për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit të mekanizmave të rëndësishëm në këtë fushë.
Nënkryetari i komunës Hasan Aliu, duke vlerësuar lartë punën e të gjithë anëtarëve dhe të gjithë akterëve të sigurisë ka falënderuar KKSB-në, Ekipin Veprues për Siguri në Bashkësi (EVSB), KFOR-in amerikan, FSK-në, bashkësitë fetare, komunitetet etj.
Nënkryetari Aliu tha se pavarësisht që këtë vit kemi mbajtur më pak mbledhje se vitet paraprake, së bashku kemi punuar pandërprerë për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve vitias, dhe se komuna e Vitisë është munduar që të gjitha rekomandimet të cilat kanë dalë nga ky ekip ti zbatoj.
Ndërkaq komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, ka theksuar se me përmbylljen e vitit 2024, po përmbushim edhe një vit të suksesshëm, sa i përket situatës së sigurisë, me rënje drastike të vjedhjeve të rënda, zbulueshmëri të rasteve në nivel më të lartë se vitin e kaluar etj.
Ai gjithashtu tha se, tani jemi në përgatitje për sezonin dimrorë dhe festat e fundvitit dhe bëri apel tek qytetarët që të festojnë me zemër e pa armë.
Gjendjen e sigurisë në komunën e Vitisë, Halili e vlerësoj të qetë dhe stabile, gjithashtu ka falënderuar institucionet komunale për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Gjatë kësaj mbledhje janë ftuar qytetarët vitias që festat e fundvitit ti festojnë qetë. /2LONLINE/