Festivali i Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës” ka mbushur përplot sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan. Kjo ngjarje kulturore është organizuar në kuadër të Manifestimit Kulturor “Flaka e Janarit” nën patronatin e kryetarit Alban Hyseni dhe në bashkëpunim me Organizatën Kulturore “Thesari”, që drejtohet nga drejtoresha Arife Kastrati.
Ky festival ka karakter garues, kurse çmimet për më të mirët do të jepen nga Gala Mbrëmjen, që organizohet në përmbyllje të “Flakës…”. Këngët që janë interpretuar do të vlerësohen nga juria profesionale, e cila ishte në përbërje: Dëfrim Behluli, profesor e kompozitor, Armend Ramadani, profesor në Shkollën e Muzikës në Gjilan dhe Shqipe Spahiu, kryeredaktore e programit të fëmijëve në Televizionin e Kosovës.
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, në hapje të këtij festivali ka theksuar se ndjehet i gëzuar që është në mesin e fëmijëve dhe ky është viti i dytë me radhë që merr pjesë në këtë festival, që e cilësoi si shtyllën e pestë, apo më te renë të “Flakës së Janarit”. “Sot performojnë të rinjtë, fëmijët, ata më të vegjlit, ndaj u uroj ditë shumë të mirë e ne do të kënaqemi me performancën e juaj”, tha Hyseni.
Në pjesën garuese janë paraqitur solistët dhe grupet: Norma Haliti – “Festa e Janarit”, Olza Hashani – “Heroi”, Kenza Ismajli – “Xhamadani vija-vija”, Alena Gjota – “A vritet pafajësia”, Aron Musliu – “Vendi im”, Ansambli i Flauteve në përbërje Rita Dubova dhe Ledian Azizi – “Moj e bukura more”. Kosovës i ka kënduar e reja Erta Hasani, këngën “Babi pse brengosesh” e kënduan Ledin dhe Driarta Azizi, kurse këngën “Drenica e ime” e ka kënduar Nida Ajeti. Një baladë për heroin Adem Jaashari e ka paraqitur grupi “Kromatika”, Këngën “Alfabeti shqip” e interpretoi Kori i Fëmijëve “Thesari”, kurse këngën “Sindorela” e interpretoi Sibora Bytyqi. Me këngën “Vendi i im” u paraqiten Rita dhe Robert Rexhepi, këngën e mirënjohur të Sabri Fejzullahut “Pranverë në Prishtinë” e këndoi Erta Beka, kurse këngën “Për ty Kosovë” e interpretuan Kledi dhe Klodian Duraj. Heroit Agim Ramadani i këndoi Demush Sejdiu, Olza Hashani u paraqit me këngën “Morra fjalë”, kurse Erina Ajeti u paraqit me këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”.
Festivali i Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës”, ka vazhduar me këngën “Ushtria Çlirimtare” nga Elma Kastrati, Aksa Hasani – “ Baresha”, kurse Festivali është përmbyllur me “Vallen e Rugovës” nga Grupi i Valltarëve. /2LONLINE/