Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në tryezën e diskutimit me temën “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë”, e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Hoti tha se ka mandat që të negociojë mbi bazën e Kushtetutës dhe ajo i jep autorizime të qarta që të udhëheqë këtë proces. “Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën edhe më të qartë, në detaje i tregon kompetencat e mia në procesin e dialogut, të cilat kompetenca as nuk dua, as nuk mundem t’i transferoj tek dikush tjetër, e as nuk do të lejoj që dikush tjetër të ndërhy në kompetencat e mia. Po besoj që kjo nuk ka nevojë as të thuhet realisht pasi për aq kohë sa Kushtetuta është e qartë nuk kemi pse të brengosemi për këtë çështje”, tha kryeministri Hoti.
Më tej, kryeministri Hoti tha se parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është: E para, integriteti territorial i Kosovës, është i panegociueshëm. “Unë nuk kam mandat që të hapi këtë temë në procesin e dialogut. E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh kryeministri Hoti.
Gjatë këtij diskutimi, kryeministri Hoti është përgjigjur edhe në pyetjet e përfaqësuesve të shoqërisë civile që kishin të bënin me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me këtë proces.