Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën drejtimin e Shpresa Kurteshit Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba, projekt-rregulloren për ndarjen e bursave për studentë, projekt-rregulloren për menaxhimin e pasurisë jo financiare – inventarit të vjetër.
‘Të tria këto rregullore i kanë kaluar procedurat e parapara, përfshirë edhe dëgjimet publike’, ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, duke nënvizuar faktin se dy rregulloret e reja, njëra për bursa dhe tjetra inventar, janë punuar me shumë kujdes.
Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale përmes shprehjes së interesit, propozim-vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës komunale përmes ankandit publik, propozim-vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës komunale, propozim-vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private në “Fidanishte” si dhe propozim-vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit për komisionit për ndarjen e bursave.
Sa i përket propozim-vendimit për lejimin e këmbimit të pronës, sqarimet e nevojshme i ka dhënë drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu, i cili ka sqaruar se bëhet fjalë për dy parcela në fillim të zonës ‘Fidanishte’, te ish-ndërmarrja ‘Mekanizmi’.
Avdyl Aliu (LDK) tha se Komuna duhet të insistojë në një vlerësim sa më real të interesit të saj në këto dy prona, meqë bëhet fjalë për zonë ndërtimi.
Ndërkaq, sa i përket komisionit për ndarjen e bursave, KPF propozoi një kompensim prej 250 euro për secilin anëtarë.
Njëherësh, KPF shqyrtoi dhe rekomandoi për Kuvend edhe një kërkesë të Qendrës së Kujdesit Ditor “Pema” për vendosjen e Pllakës Informuese me mbishkrimin “Kopshti i 21 Fidanëve” dhe kërkesës iu përgjigj pozitivisht. /2LONLINE.com/