/2L ONLINE/ – Kosova për fat të mirë ka hartuar ligje dhe dokumente bazike të cilat rregullojnë fushën e menaxhimit të krizave në mënyrën e duhur si në nivelin lokal po ashtu edhe atë qendror. Por fatkeqësisht këto ligje dhe dokumente ose anashkalohen për shkak të mosnjohjes së tyre ose për shkak të një tradite të menaxhimit të krizave në stilin “ ku rafsha mos u vrafsha”.
Si do duhej të vepronte qeveria e Kosovës (në mungesë të forcave të armatosura) në harmoni me këto ligje dhe dokumentet bazike me rastin e incidentit të paralajmëruar para shumë javësh nga Serbia lidhur me trenin i cili mund të shkaktonte incident kritik dhe katastrofik, me përmasa kombëtare dhe rajonale, me shkelje te sovranitetit, me pasoja në jetë njerëzish, të mira materiale, infrastrukturë kritike, ambient si dhe humbje të imazhit të qeverisjes e deri tek një konflikt i armatosur mes dy apo më shumë shteteve.
Qeveria e Kosovës hapin e parë për menaxhimin e kësaj situate e bëri sipas Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës (KSK) duke krijuar përshtypjen e parë se kjo situatë do të menaxhohej mirë. Por edhe pse u mblodh ky këshill, nuk nxori ndonjë rekomandim rreth vlerësimit të shkallës së rrezikshmërisë se a ishte ky një rrezik i vlerësuar si i shkallës së ultë, të mesme apo i shkallës së lartë.
Pastaj nuk pati ndonjë rekomandim të qenësishëm rreth ngritjes së nivelit të gatishmërisë në shkallë vendi për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm për ato të sigurisë e posaçërisht rreth ngritjes se nivelit të gatishmërisë dhe aktivizimit të komitetit komunal për mbrojtje dhe shpëtim në Komunën e Mitrovicës, si dhe nuk pati informacione të mjaftueshme për publikun nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës.
Duke pas parasysh se ky incident mund të godiste të gjitha dikasteret e qeverisë së Republikës së Kosovës, me një fjalë tërë shtetin, si Ministrinë e Infrastrukturës (hekurudhën), Ministrinë e Punëve të Brendshme (policinë dhe policinë kufitare), Ministrinë e Drejtësisë (doganat), Ministrinë e Punëve të Jashtme si një incident ndër kufitar dhe ndërshtetëror, ky incident kërkonte mobilizim, gatishmëri dhe veprim shtetëror të të gjitha institucioneve, të cilin veprim e rregullon Plani i Reagimit Kombëtar i cili duhej të aktivizohej si dhe të ngritej Grupi Ndër-Institucional për Menaxhimin e Incidenteve(GNMI), i themeluar me datë 05.02. 2016 me vendim te Ministrit të MPB-së në cilësinë e Koordinatorit Nacional për menaxhimin e incidenteve kritike sipas Planit të Reagimit Kombëtar të aprovuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2010.
Sipas këtij plani, këtë incident duhej ta menaxhonte kryeministri apo ministri i MPB-së në emër të kryeministrit si koordinator nacional për incidente të tilla, ndërsa institucioni me përgjegjësi primare duhej të ishte Ministria e Infrastrukturës.
Çështjet kryesore që duhet të kihen parasysh në raste të tilla janë ato të sigurisë së nivelit taktik (planet e sigurisë së njësive reaguese në teren) dhe vijimësia e operacionit (kohëzgjatja), me ç ‘rast komandanti i incidentit apo operacionit, përmes informacioneve nga njësitë inteligjente duhet të vlerësoj kërcënimin dhe rreziqet që mund të cenojnë njësitë e tij, qytetarët e komunave që do të godiste incidenti dhe infrastrukturën kritike.
Pastaj bazuar në vlerësimin e këtyre kërcënimeve duhet të krijohet ambient i sigurt i menaxhimit dhe koordinimit për komitetin komunal për mbrojtje dhe shpëtim i cili do të ishte në kontakt të përhershëm me nivelin qendror.
Në nivelin qendror GNMI-a do duhej që për shkaqe sigurie si persona të rëndësisë së veçantë që planifikojnë dhe marrin vendime (politike, koordinuese dhe mbështetëse) për të mbeshtetur komandantin e incidentit (operacionit), të vendoseshin në Qendrën e Situatave apo në Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme (e cila edhe pse është kërkuar dhe rekomanduar edhe nga ndërkombëtare ende nuk është ngritur).
Pse vendimmarrësit në nivelin lokal dhe qendror duhet të vendosen në Qendra Operative të përhershme dhe alternative? Sepse Qendrat Operative ofrojnë siguri për vendimmarrësit, grumbullim, përpunim dhe shpërndarje të centralizuar të informacioneve, mbështetje të planifikuar të operacionit, në Qendër Operative mblidhen përfaqësuesit e të gjitha institucioneve dhe ofrojnë resurset e tyre me qëllim të menaxhimit të incidentit, llogaridhënies planifikuese dhe vendimmarrëse, si dhe analizës pas veprimit.
Çështje e një rëndësie të veçantë që duhet pas parasysh në menaxhimin e incidenteve kritike si ky i trenit serb, është informimi i mediave dhe i qytetarëve sepse menaxhimi i informacioneve është element kyç në menaxhimin e krizave. Këtë çështje në raste të tilla e rregullon Sistemi i Integruar i Menaxhimit Emergjent i aprovuar nga qeveria në vitin 2010, përmes ngritjes së Qendrës për Informim të Përbashkët.
Në këtë Qendër mblidhen, analizohen dhe përgatiten informacione qoftë për medie, qoftë për publikun. Dhe këto informacione sipas këtij sistemi lëshohen nga komandanti i incidentit (operacionit) ose zyrtari i tij për informim, shefi i Qendrës Operative në nivelin lokal (komunat janë të obliguara me ligj që të kenë Qendra Operative Emergjente), shefi i Qendrës Operative Emergjente regjionale 112 dhe zyrtari për informim në GNMI. Ideja se mediat duhet të shkojnë pas njësive reaguese dhe të njoftojnë publikun sipas dëshirës së tyre është e dëmshme dhe sanksionuese, mediat duke pas parasysh operacionin dhe rrezikshmërinë e situatës, duhet të marrin informacione zyrtare, të centralizuara dhe kontrolluara nga personat e lartë cekur, bazuar në dokumentet që e rregullojnë këtë çështje, jo vetëm për të mos dëmtuar operacionin por edhe për të ruajtur publikun nga informacionet frikësuese dhe që përhapin panik.
Edhe shpërndarja e imazheve, videove, fotove dhe mesazheve përmes rrjeteve sociale nga pjesëtarët e njësive reaguese mund të dëmtojë operacionin deri në dështim total të tij për shkak të dekonspirimit të vendit, vend qëndrimit, konvojit, rrugës, resurseve humane, pajisjeve, mjeteve, automjeteve dhe disponimit të këtyre njësive.
Tani, duke pas parasysh se bota po ballafaqohet me një ndryshim të shpejt të interesave gjeostrategjike, tendencave për një rend të ri botëror dhe agresivitetin e shtuar ruso – serb, jo vetëm ndaj Kosovës por edhe Ballkanit në përgjithësi, qytetarët e Republikës, mediat, OJQ-të, shoqëria civile dhe institucionet shtetërore jo vetëm të sigurisë, duhet të jenë përherë të gatshme për veprim, sepse provokime të tilla sikurse treni, do të na presin në ditët dhe muajt në vijim. /2L ONLINE/