Ja poezia fituese e Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit”-2017, që u nderua me Çmimin “Pena e Flakës”.
/Agron TUFA/
TREGJET E LOTËVE
(në 100 vjetorin e Luftës së Dibrës)
Tregjet e lotëve të rinj janë të lehtë…
Nuk e kanë duhmën e shkrumbit,
shijen e athët të gjakut
dhe rrëshirën e zezë të zërit
në tel të sharkisë.
Tregjet e rinj të lotëve
janë spërdredhka bimësh kacavjerrëse
që pleksin kavon e trashë të fatit –
dhe, me ledhe lojacake puhizash
gjethesh e vrigujsh, lëndohen,
bien përtokë prej të parit thëllim.
Por nga gjëmat e moteve ata nuk duan t’ia dinë,
as për zhaurimën mortore të kobit,
as për litarët e groposur të gjakut,
as për Vertebrën e dërrmuar të fisit
që duket e zhduket në skeletin e kalldrëmit të vjetër
në dherat e këtij qyteti të djegur…
Çfarë peshe, çfarë shkaku rëndon
që ne s’duam t’ia dimë
dhe s’qenkemi në gjendje ta mbajmë?
Pse përdridhemi me një sofizëm fluturak
dhe sajojmë alibi në mungesë të mastarit?
Tregjet e lotëve të rinj
mund të ishin, megjithatë,
një troll i sigurt
për peshën e vërtetë
të humbjeve dhe mungesave.
Kemi harruar, ajme,
të qajmë me lotë të vjetër…