Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kryetar i grupit parlamentar dhe Arbër Zaimi, anëtar i kryesisë, organizuan një takim me qytetarë.
“Në fillim të takimit Arbër Zaimi ekspozoi gjendjen e trishtë të largimit të shqiptarëve në mungesë të shpresës në shoqëri dhe sundimit të korrupsionit në institucione. Më pas Glauk Konjufca paraqiti nevojën e përhershme të konceptit të Vetëvendosjes”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti në fjalën e tij trajtoi veçanërisht se si shkojnë bashkë reduktimi i prodhimit në financën tregtare me reduktimin e shtetit në oligarki dhe ndarjes të njësisë shqiptare.
Bashkëbisedimi me të pranishmit që vijoi për më shumë se dy orë u përqendrua në pyetjet mbi domosdoshmërinë e bashkësisë politike dhe ekonomike të shqiptarëve si stabilitet dhe në fuqinë e programit socialdemokrat.
Midis të tjerave u kërkua që të shtohen takimet e kësaj natyre dhe që çështjet që i brengosin shqiptarët në Kosovë e me gjerë të jenë pjesë e diskutimit aktiv edhe në Tiranë e qytete të tjera të Republikës së Shqipërisë, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.