Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se është jashtëzakonisht shumë tragjike humbja e jetës së të riut në Karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. “Humbja e jetës së këtij 26 vjeçari nga Gjilani na ka prekur tejmase të gjithëve, por kjo vdekje assesi nuk guxon të mbetet enigmatike”.
Postimi i tij i plotë:
Jashtëzakonisht shumë tragjike humbja e jetës së të riut në Karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Humbja e jetës së këtij 26 vjeçari nga Gjilani na ka prekur tejmase të gjithëve, por kjo vdekje assesi nuk guxon të mbetet enigmatike.
I bëj thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje tronditëse për të gjithë qytetarët, në këtë kohë pandemie.
Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor. HTH