Ka përfunduar takimi në mes të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pas këtij takimi, presidenti Thaçi ka thënë se ky takim edhe pse i shkurtër ka qenë më i rëndi në gjashtë vitet e fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se procesi i dialogut do të jetë i vështirë. “Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht vështirë për arsye se Serbia ende mendon se Kosova është pjesë se saj. Ende jeton me mentalitetin e së kaluarës, mashtrohen, gabohen shumë rëndë. Ka qenë takim shumë i rëndë me Vuçiqin. Edhe ai duhet ta kuptoj edhe vet Serbia se Kosova është vend sovran, mirëpo do të punojmë që të arrijmë marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Thaçi, raporton “Epoka e re”.
Më tutje Thaçi ka folur edhe për takimin që delegacioni i Kosovës ka zhvilluar me Mogherinin.
Ai ka thënë se ia kanë konfirmuar Mogherinit se Kosova është unike dhe gati për dialogun me Serbinë.
BURIMI: Epoka e re