Presidenti I Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në një postim në profilin e itj në FB ka shkruar se është shumë i mirëseardhur raporti i State Departamentit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2016.
“Në mënyrë gjithëpërfshirëse, raporti trajton shoqërinë kosovare dhe vëren të arriturat, por edhe sfidat në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo sektor të shtetit dhe shoqërisë sonë” ka shkruar Thaçi.
Është shumë i mirëseardhur raporti i State Departamentit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2016. Në mënyrë gjithëpërfshirëse, raporti trajton shoqërinë kosovare dhe vëren të arriturat, por edhe sfidat në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo sektor të shtetit dhe shoqërisë sonë.
Është për keqardhje që problemi i parë që përmendet është dhuna në Kuvendin e Kosovës dhe pengimi i debatit të lirë. Pastaj përmendet mungesa e dënimit për të korruptuarit, por edhe dhuna dhe diskriminimi i individëve dhe komuniteteve për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, etnike e fetare apo përcaktimit të tyre seksual.
Si president jam përkushtuar për konsolidimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit, që të mbyllim çdo mundësi që dikush t’i shmanget ligjit. Kam promovuar dialogun në mes të gjitha komuniteteve dhe kam punuar në favor të të drejtave të gjitha komuniteteve. Por, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk është detyrë vetëm e institucioneve shtetërore. Është obligim i tërë shoqërisë që të punojë dhe të eliminojë dhunën dhe diskriminimin nga jeta jonë, duke pranuar njëri-tjetrin pa marrë parasysh bindjet politike, përkatësinë etnike, fetare apo gjinore dhe orientimin seksual.
Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdokush duhet ta gëzojë të drejtën të jetojë në dinjitet dhe të kërkojë lumturinë ashtu siç e kupton, pa cenuar të tjerët, shtetin dhe shoqërinë. HTH