Në kazermën “Adem Jashari’’ të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), në një ceremoni u bë shpallja e rezultateve të garës së FSK-së dhe garës ndërkombëtare ,,Ushtari më i mirë i vitit 2017’’.
Garën ndërkombëtare ,,Ushtari më i mirë i vitit 2017’’ e fitoi pjesëtari i FSK-së, tetar Rafet Gashi- pjesëtarë i Batalionit të Parë të Brigadës për Reagim të Shpejtë, vendin e dytë ushtaraku nga Kroacia, tetar Ivo Vasiq, ndërsa vendin e tretë po ashtu pjesëtari i FSK-së, ushtar Besnik Nebihu- pjesëtarë i Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së.
Gjatë kësaj ceremonie u shpallen edhe rezultatet e garës së FSK-së: ,,Ushtari më i mirë i vitit 2017’’, ku vendi i parë i takoi tetarit Binak Podrimqaku, vendi i dytë tetarit Elvis Hasanaj dhe vendi i tretë ushtarit Mehdi Bajraktari, që të gjithë pjesëtarë të Batalionit të Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së.
Të pranishëm gjatë ndarjes së shpërblimeve për të gjithë garuesit si dhe për më të mirët, ishin edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, drejtori i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në MFSK, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi, shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel Naim Haziri, komandanti i Brigadës për Mbështetje Operacionale(BMO), kolonel Avdi Raci, oficerë përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të garës si dhe oficerë e nënoficer të FSK-së.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se, gara e FSK-së për ushtarin më të mirë të vitit tanimë është tradicionale dhe në vazhdimësi është një sfidë me të cilën pjesëtarët e FSK-së janë familjarizuar dhe nëpërmjet saj po tregojnë suksese si brenda FSK-së ashtu edhe në gara ndërkombëtare.
Më tej, komandanti i FSK-së shtoi: “Viti 2017 është viti kur FSK-ja ka krijuar mundësitë që një garë e tillë të jetë garë me pjesëmarrje edhe të ushtarakëve nga shtetet e ndryshme, e që për FSK-në do të thotë shumë. Këtë vit garën ,,Ushtari më i mirë’’ e bën edhe më të veçantë pjesëmarrja e ushtarëve nga 7 shtete partnere, duke e shndërruar kështu në garë ndërkombëtare ushtarake.’’
Në fund të fjalës së tij, gjeneral Rama tha se, FSK-ja çdo ditë po dëshmon se është forcë profesionale e disiplinuar, e motivuar dhe e gatshme të jetë pjesë e shteteve kontribuuese të sigurisë në rajon e më gjerë.
Ndërkaq, rreshter majori i parë i FSK-së, Genc Metaj, gjatë fjalës së tij të mbajtur me këtë rast tha se, gara për ushtarin e vitit ka qenë një mundësi e shkëlqyeshme që ushtarët tanë të shkëmbejnë përvojat dhe shkathtësitë ushtarake me kolegët e tyre nga vendet pjesëmarrëse, dhe më e rëndësishmja, shtoi rreshter majori i parë Metaj, nga ky aktivitet është se janë krijuar ura bashkëpunimi dhe lidhje miqësore në mes pjesëtarëve, pjesëmarrës në garë. “Aktivitetet si kjo garë janë mënyrë shumë e mirë për të rritur ndërveprimin, gatishmërinë fizike, efikasitetin, motivimin dhe në përgjithësi zhvillimin e ushtarëve dhe nënoficerëve, por edhe saktësinë në disa fusha të rëndësishme”, shtoi ai.
Theksojmë se gara “Ushtarit më i mirë i vitit 2017” filloi më 24 prill dhe vazhdoi deri më 27 prill, ku ushtarët dhe nënoficerët nga të gjitha njësitë e FSK-së dhe nga vendet partnere pjesëmarrëse garuan se bashku dhe treguan përkushtim dhe profesionalizëm të lartë gjatë ekzekutimit të të gjitha detyrave të parashtruara.
Në këtë garë morën pjesë 21 garues nga FSK-ja , të cilit garuan për ushtarin më të mirë të FSK-së, dhe 16 garues të cilët garuan për ushtarin me të mirë ndërkombëtar. Përveç Kosovës pjesë e garës ndërkombëtare ishin edhe Shqipëria, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Maqedonia, Turqia dhe Britania e Madhe, të cilat garuan me nga dy pjesëtarë.
Gara u zhvillua në këto disiplina: Test fizik, gjuajtje me armë, navigim tokësor, poligon me pengesa, hedhje e granatës, kalimi i zonës së rrezikshme, ndihmë e parë, vëzhgim i terrenit, marshim i shpejtë me ngarkesë dhe testi me shkrim i njohurive ushtarake ( test me shkrim ishte vetëm për garuesit e FSK-së).