Kriza e Maqedonisë nuk është vetëm politike, ajo është edhe institucionale dhe sistemore

Kriza e Maqedonisë nuk është vetëm politike, ajo është edhe institucionale dhe sistemore

Lidhur me dhunën e djeshme në Maqedoni, përkatësisht në Parlamentin e Maqedonisë, ku pati të lënduar deputetë por edhe gazetarë, e të tjerë,për Albulena Halilin, studiuese e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare janë ngjarje që vërtetuan se kriza e Maqedonisë nuk është vetëm krizë politike.

Halili ka thënë se ngjarjet e mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë vërtetuan përfundimisht se kriza e Maqedonisë nuk është vetëm krizë politike. Mos reagimi i forcave të rendit, dhunimi i organit më të rëndësishëm e demokratik të një shteti si dhe përdorimi i forcës ndaj përfaqësuesve të popullit dhe medieve janë manifestim se kjo krizë është institucionale dhe sistemore.

“Ajo që ndodhi mbrëmë në Shkup qe premiera e shfaqjes që është përgatitur qysh herët nga struktura të ndryshme të shtetit maqedonas. Në të njëjtën kohë, kjo përbën shpërfaqje të mendësisë posesive shtetërore maqedonase të shtresuar me vite që nga pavarësimi jolegjitim i këtij shteti. Pra, gjithçka është në rregull përderisa shqiptarët janë të sunduar e në rang të dytë, por kur ata kërkojnë të jenë të barabartë dhe element shtetformues i këtij shteti, kjo është e papranueshme dhe për këtë ata janë në gjendje ta rrënojnë edhe vetë shtetin”, thotë Halili.

Sipas saj skenat që tërë bota pa mbrëmë përmes ekranit dhe mediave sociale janë dëshmi e pakontestueshme e gjendjes së përditshme që qytetarët jetojnë vite me radhë në këtë shtet, me të vetmin dallim – përderisa qytetarët e tjerë ndjehen të kërcënuar nga ky regjim, fakti i të qenit shqiptar e dyfishon kërcënimin, duke e shpjerë atë në stade ekzistencialiste.

“E rëndësishme këtë radhë është se shqiptarët në përgjithësi, përfshirë këtu popullin por edhe elitën politike janë treguar të matur, nuk kanë lejuar të manipulohen, kanë qenë unikë për sa i përket interesit kombëtar shqiptar, por edhe në koherencë të plotë me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Albulena Halili, studiuese e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, transmeton 2LONLINE.

Ndërsa, Shemsedin Ibrahimi, gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike, thotë se dhuna në Kuvendin e Maqedonisë e nxori në pah brishtësinë institucionale, pamundësinë e ruajtjes së demokracisë dhe standardeve demokratike. U sulmuan përfaqësuesit e popullit të nxitur nga urrejtja ndaj shqiptarëve dhe pasiguria shtetformuese e maqedonasve. Nuk ka asnjë zgjidhje që do të qetësonte në një periudhë afatgjate këtë rajon pa mos e përfillur interesin e shqiptarëve këtu, sepse ata kanë vazhdimësi territoriale, janë autoktonë dhe kontribues të gjithëmbarshëm të këtij shteti. Pavarësisht rrethanave, gjendja politike, e sigurisë, por edhe e vetë funksionimi i këtij shteti nuk është bardhë e zi.

“Së pari partitë politike shqiptare duhet ta rishqyrtojnë pozitën e tyre si faktor në të gjitha aspektet e funksionimit institucional dhe kombëtar të tyre. Së dyti, nuk duhet të kenë luhatje në qëndrimet e tyre sa u përket çështjeve kryesore të kërkesave kombëtare, disa prej të cilave edhe janë përfshirë në Marrëveshjen politike (lexo Deklaratën politike të partive politike shqiptare në Maqedoni). Ky pozicionim, do t’u mundësonte që në veprimet në të ardhmen të jenë më të bashkuar dhe do ta forconte ndikimin dhe faktorizimin e tyre politik si dhe pozitën kombëtare të shqiptarëve në këtë vend”, thotë Ibrahimi, transmeton 2LONLINE.

KOMENTE