Populli shqiptar në Anamoravë, në Kosovë e më gjerë, në historinë e përpjekjeve dhe luftës çlirimtare pati bijë e bija që sakrifikuan edhe jetën për të. Në mesin e tyre, thënë më drejtë, ndër më të devotshmit ishin Tefik e Hanumshahe Zymberi.
Nga: Ismet Tafili
Këto dy figura, tashmë emblematike, vepruan guximshëm. Pa farë droje, duke qenë pjesëmarrës, e të shumtën e herëve edhe edhe prijës në veprimtarinë atdhetare. Në fund, siç veprojnë trimat, bashkëshortët, njëkohësisht shokë të idealit, u rreshtuan krah për krah në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të vetëdijshëm se vetëm kështu të organizuar do të çlirohet atdheu e do të vijë liria.
Sikur Tefiku e Hanumshahja, të rrallë, shumë të rrallë i ka pasur dhe do ti ketë bijë të vet, Atdheu Ynë! Ata ishin të pendës e të pushkës
Tefiku e Hanumshahja ishin të vendosur, besnik, të dashur dhe të qeshur me shokë e bashkëveprimtarë, me ushtarë e bashkëluftëtarë, por edhe të ashpër dhe të pa kompromis me pushtuesit e Atdheut, me armiqtë dhe tradhtarët!
Dëshmorët e kombit, Tefiku e Hanumshaja, janë emblemë të punës, sakrificës, të figurave të shqiptarëve të rrallë, të pa nënshtruar, të aftë dhe të vendosur për t’u sakrifikuar, me të vetmin qëllim të fundit, që duke e përzënë Serbinë pushtuese nga trojet tona, populli shqiptar të fitojë lirinë.
Këta veprimtarë të mëdhenj kombëtar, në fillim të jetës së tyre, veprimtarinë e filluan që në shkollat e mesme, ku rinia e pa nënshtruar shqiptare ishte gjithë elanë për mësim e atdhetarizëm, pastaj e vazhduan në fakultet me organizime e pjesëmarrje në demonstrata të vitit 1981, i cili Tefiku, një vit më pas, në përvjetorin e demonstratave, burgoset. Po ashtu morën pjesë në demonstratat e vitit 1989/90, pajtim të gjaqeve, ndihma popullatës që kishin nevojë, Ata ishin të organizuar në Lëvizjen ilegale, në celulën të cilën në fillim e udhëhiqte Ahmet Demiri e më vonë Ismet Sylejmani. Tefiku ishte edhe udhëheqës i një celule në Gjilan, dhe shtëpia e tyre ishte një nga bazat e celulës së Lëvizjes Popullore të Kosovës e më vonë edhe bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut.
Ata veprimtarinë ilegale e kombinonin shumë mirë edhe me atë legale. Në të njëjtën kohë ata arsimuan gjenerata të reja, ngritën vetëdijen kombëtare nëpër mes shkrimeve, gazetave, ku Tefiku ishte kryeredaktor i gazetës “Vatra” e më vonë së bashku me Hanumshahen edhe anëtarë të gazetës “Bashkimi” e cila ishte zëdhënëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut, pastaj u morën edhe me organizime tjera dhe në fund, siç u tha më lartë, edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ndoshta vlen të theksohet, sipas Emin Kabashit, ata në vjeshtën e vitit 1989, kishin qenë edhe në Likoc, Qirez e Likoshan, ku kishin marrë instruksione për luftën.
Tefiku e Hanumshahja, jo vetëm organizimet e shumta atdhetare, po edhe ndejat, ceremonitë familjare, takimet e rastit me shokë e dashamirë, por edhe me ata që mendonin pak më ndryshe për luftën e rrugën e lirisë, i kthenin në hullinë e duhur atdhetare, i kthenin në ngjarje, që dukeshin të rëndomta, i kthenin në takime e mini kuvende atdhetare, ku me afërsinë, shpjegimin e thjeshtësinë i bënin për vete e ua zgjonin dashurinë për Atdheun e njeriun e nëpërkëmbur.
Tefiku e Hanumshahja, u bënë personazhe të dashura, të dalluara nga të tjerët, e shembull për brezat që vijnë, sepse përpos që rrezatonin dritë lirie kudo, në veprimet ilegale e legale me shpirtin e madh të humanizmit, sakrificës e vlerave të mëdha atdhetare, ata krijuan edhe marrëdhënie të reja miqësie duke e kurorëzuar me martesë në rrethana jo të zakonshme. Ata u martuan pa bërë ceremoni martesore e shpenzime siç bënin moshatarët e vet. Me këtë martesë ata u treguan rinisë shqiptare, se tani nuk duhet të shpenzojmë për gjëra të tilla formale, sepse është koha të përgatitemi për betejën përfundimtare me pushtuesin e tokave tona. Dhe këtë vizion e tregoi koha, ngase jemi dëshmitarë se armiku gjatë luftës çdo gjë e shkatërroi e dëmtoi, dhe se jeta jonë në liri ia filloi nga e para.
Tefiku e Hanumshahja kudo që ishin, veprimtarinë patriotike për çlirimin e Kosovës, jo vetëm nuk e ndalën me të gjitha format e mundshme, por ata e përforcuan dhe e ngritën deri në atë masë që nuk e dëshironte askush, pra në veprimtarinë luftarake nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Te jesh shok e bashkëveprimtar me Tefikun e Hanumshahen, ishte nderë e respekt i madh, por njëkohësisht edhe përgjegjësi, sepse ata kurrë nuk kishin menduar për vete, ata ishin të gatshëm të sakrifikohen vet duke i mbrojtur shokët, pa marrë parasysh pasojat për ata e për fëmijët e tyre. Një fenomen i rrallë, të themi hyjnor për dy njerëz të mëdhenj. Pra ishin nga ata “O burra ti biem armikut, ne të parat e ju pas meje, e jo “o burra ti biem armikut, ju përpara e ne në dasmë”.
E qe pra, pas dhembjes vjen krenaria. Vjen me dy emrat e bashkëshortëve dëshmorë Tefikut e Hanumshahes, të njëjtë si Azemi e Shota , si Fehmiu e Xheva.
Pas tyre, lanë dy fëmijë, fatmirësisht shembullorë në jetë e në shkollim: Diellën dhe Atdheun, të cilët u përngjajnë aq shumë prindërve. Diella ka kryer fakultetin e mjekësisë dhe punon në Gjermani, ndërsa Atdheu është në përfundim e sipër të fakultetit.
Paçin vetëm ditëlindje, se ranë për të mos pasur datëvdekjeje.
Lavdi e përjetshme Tefik e Hanumshahe Zymberi!
Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit!