DYLON

Fjala e Ismet Tafilit në tribunën përkujtimore kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Reshat Sadiku

Fjala e Ismet Tafilit në tribunën përkujtimore kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Reshat Sadiku
Avatar photo Redaksia

Fjala e Ismet Tafilit në tribunën përkujtimore kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Reshat Sadikut

Reshat Sadiku (1958-2012)

EkoHigjiena

(biografi)

Shumë e nderuara familje e Reshat Sadikut,

Të nderuara familje të Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit!

Të nderarur veteranë të tri ushtrive çlirimtare,

Të nderuara personalitete kombëtare, shtetërore, politike, ushtarake e policore,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja e zotërinj

Reshat Sadiku u lind, më 15 tetor 1958 në fshatin Priboc, vend ku burrat e gratë rriteshin e bëheshin të fortë si lisat e këtij vendi të cilët nuk i shkullte e rrëzonte asnjë stuhi. Pikërisht shtëpia ku kishte lindur Reshati ishte vija kufitare që e kishte bërë armiku serb, mbi trupin e trojeve shqiptare, vijë e cila e ndante popullin shqiptar nga trungu i saj -Kosova. Gjatë luftës së Dytë Botërore, ishte vija frontale ku vullnetarët shqiptarë të kësaj ane, me udhëheqësin e tyre shpirtëror e ushtark, Mulla Idriz Gjilanin dhe trimat e tjerë si, Lot Vakun me shokë, kishin zhvilluar luftërat më të rrepta kundër çetnikëve bullgarë e serbë, vend ku ishte mbrojtur kufiri i Shqipërisë Etnike. Gjithashtu, në këto troje, më vonë edhe Gjon Sereçi me bashkëpunëtorët e tij vepruan, u strehuan dhe gjetën  mbështetjen e popullit të kësaj ane.

Kjo tokë e ulur me gjak e djersë të trimave të kësaj ane, e lindi dhe e ushqeu Reshat  Sadikun e vogël pesë vitet e para të jetës së tij.

Në vitin 1963, së bashku me familjen  e tij,  shpërngulen në Tërnoc të Vogël, ndërsa në vitin 1968   vendoset në Gjilan, në lagjen e Balecit.

Reshati, në moshën tetvjeçare e fillon shkollën fillore në “Musa Zajm”. Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Zenel Hajdini”, poashtu në Gjilan, ndërsa shkollimin e mëtutjeshëm ia ndaloi pushteti antishqiptar serbo sllav.

Si fëmijë i vogël, sikurse edhe në klasët e para të fillores ishte i lazdruar, por në mësime ishte i shkëlqyeshëm.

Rrëfimet e freskëta nga babai i tij Xhemaili, (si pjesëmarrës dhe i plagosur në Luftën e  Kikës dhe si  kushëri  i parë me  Lot Vakun), për të bëmat e mëdha të vullnetarëve shqiptarë për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar e të udhëheqësve të tyre, rrëfimet për dëshmorët, për atdhetarët e trimat e shumtë që kishin luftuar për lirinë e Atdheut, dëgjimi në familje i radio Tiranës e radio Kukësit, Reshatin  e kishin brumosur me idetë patritoke e atdhetare.

Kështu, Reshati qysh në klasën e pestë, prej kur atëherë mësohej gjuha serbe, e kishte kundërshtuar mësimin e kësaj gjuhe

Revolucionaritetin e kishte shprehur qysh në moshën e re, pikërisht në klasën e shtatë, kur arsimtari i artit u kishte dhënë detyrë të vizatojnë e të këndojnë. Reshati, papritmas kishte filluar të këndojë këngën “Moj Shqipëri ta lujsha syrin”. Arsimtari i artit i frikësuar nga kjo këngë e ndëshkon me shuplakë. Por, Reshati me shpirtin kryengritës që kishte që atëherë, e lëshon klasën pa e pyetur arsimtarin dhe para daljes jashtë i thotë: “mbaje mend këtë, arsimtar”!

Në shkollën e mesme,  duke e ditur veprimtarinë atdhetare të familjes së tij dhe veprimet e tij kundërshtuese për padrejtësitë që bëheshin ndaj çdo gjëje shqiptare, Reshatit i afrohen veprimtarët e organizimeve politike  ilegale dhe e kyqin në gjiun e  tyre. Këtë, Reshati  edhe e kishte dëshiruar  që prej kohësh, dhe kyqja në ilegale ishte rruga të cilën kishte filluar të ecë që më parë. Në kohën kur ishte Reshati maturant, e formojnë grupin ilegal  i cili  qëllim kryesor final kishte, Çlirimin e Kosovës me luftë nga sundimi serbo-sllav dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Këtë grup e udhëhiqte Fehmi Halimi i cili edhe ishte 9 vjet më i vjetër se ata. Në këtë grup bënin pjesë përveç  Reshat Sadikut edhe Hevzi Kqiku, Tahir Demi, Kosum Murtezi, Fahredin Murtezi, Fadil Prekorogja, Skender Ahmeti, Muharrem Vokshi, dhe Isa Zymberi. Kërkojmë falje nëse kemi harruar ndonjë.

Këta përveç që mbanin mbledhje të rregullta të grupit, shënonin edhe festat kombëtare, mblidhnin informacione të ndryshme, përkujtonin heronjët,  shkruanin e shpërndanin afishe e trakte të ndryshme, përgjithësisht zhvillonin aktivitet të pandërprerë kombëtar në formë ilegale, e aty ku gjenin hapësirë, edhe hapur.

Gjithashtu mbanin edhe lidhje, në mënyrë shumë të fshehtë, me grupin e Albanikosit. Për këtë ishte caktuar Reshat Sadiku. Reshati, së  bashku me grupin e tij, shkruante e shpërndante trakte, komunikata e pamflete. Zakonisht pamfletet i shkruanin dhe i shpërndanin  për festat kombëtare, siç ishte dita e Flamurit 28 Nëntori 1980

Në demonstatat e vitit 1981 në Gjilan, Reshati ishte njëri nga organizatorët e  parë. Për këtë ai arrestohet me shokë më 18. 08. 1981. Me ktë rast ai dënohet me  dy muaj burg. Ky burgim jo vetëm që nuk ia ndaloi veprimtarinë atdhetare, por ishte edhe një shtytje  më e madhe për të në rrugën e tij atdhetare.

Ai, edhe në shkollë e gjithkund propagandante e mbronte idenë e çlirimit të Kosovës nga pushtimi Jugosllav edhe pse përcillej e provokohej shpesh nga disa profesorë.

Për këto dhe veprimtari tjera të shumta nuk mund të mos ishte nën përcjelljen e syrit të zi të UDB-ës Jugosllave. Pasi në shtëpi ia gjejnë makinën që i shtypte traktet,  pamfletet e fletushkat  dhe shumë materiale tjera propagandistike antijugosllave, e burgosin për herë të dytë, së bashku me 4 shokë tjerë të grupit. Gjyqi i  Qarkut në Gjilan, më 15. 12. 1981 e dënon me 18 muaj burgim.

Ashtu si shumë atdhetarë  e veprimtarë që ishin torturuar barbarisht nëpër zyret e çelitë e ftohta e të pista të burgut  të Gjlanit, Kosovës e ish Jugosllavisë, edhe Reshat Sadiku nuk i shpëton këtyre torturave shtazarake të UDB-ashëve serbë e gjithsesi edhe shqiptarë.

Xhelatëve nuk u frikësohej. Torturave e rrahjeve të gjakëpirësve serbo-sllavë, ky burrë me zemër të madhe, u bënte ballë me  trupin e tij  të kalitur me idealin e fortë për liri, me forcë e me vullnetin për jetë duke mos u ligështuar para tyre, sepse ata, këtë e dëshironin.

Se ishte kështu e tregon edhe fakti, kur nëna e tij kishte ardhur ta vizitojë në burg së bashku me vllain e tij Xhevatin.

Deri sa vinte Reshati në vizitë prapa grilave të burgut, nëna  nuk e kishte njohur atë, ngase ishte i nxirë e i enjtur i tëri. Reshati, me dhimbje të mëdha të trupit, e kupton këtë, dhe  shpejt i  thotë: ”Nënë a je mirë. Por, ajo kur ia dëgjon zërin, si një burrëreshë që ishte dhe për t’u mos u ligështuar e shpreh dhimbjen para gjelatëve titist, i thotë Reshatit: “Mirë qenke biro”.

Ishte maltretuese dhe torturuese edhe përcjellja e inspektorit  Sinan Rexhepi (Zhegra) gjatë bisedave me familjarë dhe kërcënimi i tij bërë nënës së Reshatit: ”Loke ke kujdes se çka po flet”. Por,  Reshati edhe në këto momente inspektorin e nënçmon  dhe nuk e përfill fare. Ai i thotë nënës së vet: “Fol nënë se ky  është një pastrues”. 

Djemtë e Gjilanit, kishin bërë histori duke qëndruar ballë lartë përpara çdo torture serbe. Vlen të përmendet gjigandi  i qëndresës titanike Rexhep Mala me shokë, pastaj Nuhi Berisha me shokë, Kadri Zeka me shokë, Hydajet Hyseni me shokë, Nazmi Hoxha me shokë etj, dhe nuk kishte se si të mos e vazhdonte rrugën edhe Reshat Sadiku  e  shokët e tij të shumtë deri në çlirimin e Kosovës.

Pas daljes nga burgu, ai nuk e ndal veprimtarinë. Ai menjëherë kontaktoi me shokët e vjetër dhe zgjeroi shoqërinë edhe më shumë. Mbante lidhje të forta e të vazhdueshme me Emin Krasniqin, Ahmet Isufin, Ramiz Arifin, vëllezërit Sali e Taip Malën, vëllezërit Bajram e Ramadan Dërmakun, Begzad Sinanin, vëllezërit Isa e Nevzad Dërmakun, Ali Hoxhën Shefik Sadikun, Jashar Kastratin, Qemajl e Sali Kastratin, Saqip Zymberin, Faik Jonuzin, vëllezërit Sabit e Isa Kastratin Fehmi Halimin, Fazli e Selajdin Abdullahu, Sami e Ismajl Kurteshin, Ilmi Ramadanin, Njazi e Sejdulla  Kadriun, Sejdi Kryziun, vëllezërit Ymer e Bejadin Hasani, Jonuz Musliun, Avdush Limani e shumë e shumë të tjerë. Ndërsa respekt të veçant dhe vizita të vazhdueshme Reshati me të gjitë këta shokë i bënte Lam Breznicës, nga  i cili merrnin frymëzim dhe kujtime atdhetare nga lufta që kishte zhvilluar ai me serbo-çetnikët.

Atdhetarët dhe gjithë liridashësit, mbi të gjitha kishin çlirimin e Atdheut  e më pastaj familjen e në fund veten. A nuk ishte kështu Reshat Sadiku? Ai kurrë nuk deshi të pasurohej, por edhe atëherë kur punonte  dhe kishte mundësi të pasurohej me dyqanin e xhamëprerësit që  e kishte hapur në Rogaçicë, nuk e bëri këtë. Ai gjithë atë pasuri që e kishte bërë dhe fitimin që e merrte nga ajo punë, e shpenzonte për çështjen atdhetare, për çështje humanitare. Përveç, që dyqani i tij ishte vendi ku mbaheshin takimet e ilegalëve e veprimtarëve të shumtë të Anamaoravës, të Malësisë së Bujanocit, Gollakut e tërë Kosovës, ai u ndihmonte atyre edhe me mjete financiare. Ishte ai, i cili ndihmonte ndërtimin e shkollave, njëra ndër to ishte edhe  shkolla  fillore “Skënderbeu” në Zarbicë, pastaj shkolla në Rogaçicë etj.

Ndihmonte edhe në ndërtimin e shtëpive për skamnorët. Ndihmonte familjet  e të  burgosurve politik, sikurse i vizitonte çdo herë. Posaçërisht vizitonte familjen e Rexhep  Malajt, Nuhi Berishës e Kadri Zekës.

Gjilani, qendra e Anamoravës, ashtu si edhe qytetet tjera të mëdha të Kosovës, ishte arena e përleshjeve të mëdha mes forcave pushtuese dhe popullit në demonstratatat e viteve 1988/ ‘89/ ’90. Reshati, përsëri ishte  pjesë e pandarë e çdo zhvillimi atdhetarë gjatë këtyre demonstratave.

Shtëpia e Reshat Sadikut priste e përcillte veprimtarë e atdhetarë,  të rinjë e të moshuar, shokë të ilegales  miq e dashamirë. Më vonë, gjithashtu, ishte e hapur për njerëzit të cilët udhëheqnin, ishin direkt të përfshirë apo ndihmonin luftën e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,  luftën e  Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ai ishte edhe vetë pjesë e pandarë e këtyre organizimeve e ngarjeve të mëdha e të lavdishme. 

Gjithë këtë veprimtari e përkushtim  e kurorëzoi me përfshirjen e tij me tërë qenien dhe me gëzimin më të madh, në luftën përfundimtare kundër pushtimit serbo-sllav, në Luftën e Lavdishme të Ushrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte në radhët e para të organizimit  së bashku me, Ahmet Isufin, Shemsi Sylën, Ramiz Arifin,  Taip, Xhelil dhe Shaip Zeka, Nazmi e Shemsedin Hoxha,  Ahmet Demiri, Bejtullah e Avdullah Tahiri, Basri Musmurati (profesor i tij në gjimnaz, e më vonë shok burgu  i dhomës) Shaip Ismajli, Zenun Pajaziti, Izmi Zeka,Tefik e Hanumshahe Zymberi (të dy dëshmorë), Irfan Shaqiri, Gani Neziri, Hetem Bajrami dhe me gjithë ata veprimtarë që u përmendën më lartë e shumë të tjerë.

Uniformën e UÇK-së e mbajti deri në 19 shtator 1999, atëherë kur edhe transformohet në TMK. Sistemohet në Departamentin e Operativës të Zonës së VI  të TMK-së në Gjilan, me gradën Toger, të cilën detyrë e mbajti me krenari e përkushtim të lartë. Si në veprimtari të mëhershme, si në punë më vonë, ishte i rreptë, i vendosur dhe i disciplinuar. Nuk lejonte të nëpërkëmbej ideali i UÇK-së TMK-së, FSK-së, i shokëve, veprimtarëve e patriotëve. I mbronte me punë e dinjitet  duke qenë krenarë e i papërkulur.

 I paluhatur asnjëherë në idealin tij duke qenë i bindur se vetëm bashkimi  kombëtar e  forcon popullin shqiptar dhe e bën faktor në rajon, ai edhe pse ishte në uniformë të TMK-së, gjeti forma për të ndihmuar luftën e UÇPMB-së në vitin 2000/2001.

Pas strukturimit të TMK-së në FSK, në vitin 2008, Reshati pensionohet, por, shpirti i tij  humanitar  nuk e lente të qetë. Ai organizon ndërtimin e  shtëpive të ish ushtarëve të UÇK-së e të tjerëve që ishin të pastrehë e kryen shumë punë tjera humanitare. 

Sëmundja që kishte zënë vend në trupin e tij që nga vuajta e burgut, nga rrahja, lagështia, maltretimi psiqik e fizik, vinte duke iu rritur, po ai nuk donte t’ia dinte asaj. Megjithatë ajo tinëzisht ia gërryente shpirtin dhe trupin. Dhe, më 2 dhjetor paprimtas, Reshati ndërron jetë.

Vdekja e tij në moshë ende të re, ishte një humbje për familjen, për gjithë shokët, për Gjilanin e Kosovën, ngase jemi të vetëdijshëm se ai me shpirtin e madh, me potencilain e vullnetin për punë do të kishte dhënë si gjithëherë, edhe më tutje, kontribut atdhetar e njerëzor.

Dhe në fund, po e them moton që e përdorte para se të përshëndetej, kur takohej e ndahej më te gjithë, pa përjashtim:

“Vëlla rroftë liria, të na rroj Shqipëria”.

Lavdi jetës  dhe veprës së tij, qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

/Ismet TAFILI/