Rritja e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendorë përmes lehtësirave tatimore si dhe krijimi i politikave specifike për nxitjen e rritjes së eksporteve janë të nevojshme në zhvillimin e qëndrueshëm të tyre, ndërsa ende nevojiten mekanizma mga institucionet relevante në adresimin dhe eleminimin e barrierave si tregtare ashtu edhe tarifore. Kjo u tha sot gjatë prezantimit të studimit “Indeksi i prodhimit” i bërë nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se krahas vëmendjes së shtuar ndaj zhvillimit të sektorit të prodhimit në vend, si përmes masave fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave, ashtu edhe përmes skemave të granteve mbështetëse nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ende ka mungesë të rezultateve mbresëlënëse. Ai tha se ky studim përfshin adresimin e sferave të ndryshme në sektorin e prodhimit si fuqia punëtore, infrastruktura mbështetëse, qasja në financa, infrastrukturës së cilësisë, sundimi i ligjit, etj, duke pasqyruar gjendjen aktuale në sektorin e prodhimit dhe problemet të cilat duhet të adresohen nga institucionet relevante.
Ndërsa Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se sektori i prodhimit ka zënë vendin e merituar në debatin publik në vend, mirëpo përveç kësaj nevojiten masa konkrete nga institucionet publike në arritjen e rezultateve aftagjate dhe të kënaqshme në këtë sektor duke qenë ndër sektorët më kontribues në zhvillimin ekonomik të vendit.
Udhëheqësi i i Institutit për Hulumtime Ekonomike të Odës Amerikane, Visar Hapçiu, tha se ky studim synon të jetë bazë e mirëfilltë për të ndjekur zhvillimet në sektorin e prodhimit e poashtu edhe për të adresuar çështjet kryesore të cilat afektojnë bizneset prodhuese. Hapçiu, ndër të tjera, përmendi faktin se bizneset vlerësojnë pozitivisht mjedisin fiskal në vend si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të legjislacionit tatimor dhe masave të ndërmarra fiskale, por në anën tjetër vlerësojnë mjaft dobët progresin e arritur në luftimin e korrupsionit. Në fund, ai shtoi se ndërmarrja e masave fiskale dhe lehtësirave tatimore në vazhdimësi mundësojnë zhvillim më të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të prodhuesve.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Ministria që ai drejton ka prioritet ruajtjen e situatës së qëndrueshme dhe stabilitetit makrofiskal. Ministri Hamza tha se kemi nevojë për ndërmarrjen e reformave në strukturën ekonomike për të ulur deficitin e lartë tregtar, duke shtuar se reformat fiskale të cilat janë tashmë efektive, si në lëndën e parë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, etj, kanë treguar rezultatet pozitive në zhvillimin e bizneseve dhe rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese.
Përfaqësuesi nga Ministria e Tregtisë së Industrisë, Durim Limaj, tha se Ministria ka prioritizuar rritjen e prodhimit vendor si dhe cilësinë e produkteve duke vendosur masa mbrojtëse për disa produkte si dhe hartimin e ligjit për tregti të brendshme, mes të tjerash, duke përmendur gatishmërinë e Ministrisë në adresimin e barrierave tarifore dhe jotarifore për prodhuesit. Në anën tjetër, Leonora Kusari nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha se Banka synon ofrimin e ndihmës ndaj bizneseve të sektorit privat përmes instrumenteve dhe mekanizmave të ndryshëm, duke shtuar se fuqizimi i bizneseve përmes financimit dhe këshillimit është esencial në zgjerimin e tyre në tregje ndërkombëtare si dhe rritjen e cilësisë së produkteve të tyre.