Kuvendi i Republikës së Kosovës, të hënën, më 27 shkurt 2017, në orën 10:00, vazhdon punimet e seancës së fundit plenare, me pikat e papërfunduara. Të enjten, ndërkaq, më 2 mars, në orën 10:00, mbahet seancë e re.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.
Të hënën, në vazhdimin e seancës, pritet të votohen: propozim-rezoluta në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, propozim-rezoluta në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, raporti i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të nenit 11 të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, si dhe pritet formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komuniteteve tjera, zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe me votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.
Punimet e Kuvendit do të vazhdojnë me shqyrtimin e dy projektligjeve: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, si dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Po ashtu, pritet edhe gjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komunitetit serb.
Në këtë vazhdim të seancës, do të shqyrtohet edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST SH. A. dhe operatorit të sistemit, të transmisionit dhe tregut – KOSTT SH. A.
Në fund, deputetët do të kenë mundësi të shtrojnë pyetje në adresë të ministrave, të mbetura nga seanca e kaluar.
Në seancën e re, të enjten, pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë tetë projektligje: Projektligjin për ndërmarrjet sociale, Projekt-kodit nr. 05/L-146 i Drejtësisë për të Mitur, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligjin për noterinë, Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për shërbime.
Seanca pritet të përfundojë me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, u vendos që deputetëve t’u shpërndahet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i hartuar nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, si dhe Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i hartuar nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, ndërsa komisionet përkatëse të ngarkohen për shqyrtimin e tyre.