Është mbajtur takimi në mes të nënkryetares së Komunës së Gjilanit Leonora Morina Bunjakut, drejtorit të Arsimit Shpend Nuhiut dhe OJQ-ve me Puhiza Bekollin, koordinatore e projektit në Fondacionin Jahjaga, për krijimin e task forcës potenciale komunitare për dhunën me baza gjinore për sensibilizim dhe edukim.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Morina Bunjaku, tha se janë ndër komuna e parë që i kanë kthyer përgjigje të shpejt Fondacionit Jahjaga.
“Kjo tregon se sa jemi të përgjegjshëm karshi projekteve që janë në të mire të qytetarëve e po ashtu edhe transparencës komunale”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja, premtoi mbështetje në formimin e Task forcës komunitare për dhunën me baza gjinore për sensibilizim dhe edukim.
Puhiza Bekolli, koordinatore e projektit në Fondacionin Jahjaga, tregoi se në qytetin e Gjilanit, ka me u krijuar një task forcë prej 5 deri 7 anëtarë.
Sipas saj të përzgjedhurit, do të trajnohen dhe krahas kësaj do të bëhet trajnimi edhe i 20 nxënësve të dy shkollave më të mëdha të Komunës së Gjilanit.
Ajo tregoi se prioritet është gjithë përfshirja. Projekti do të përfundoi deri në fund të muajit mars 2025.
“Komuna e Gjilanit është përgjigjur e para në përkrahje për realizimin e këtij projekti dhe jemi falënderuar për këtë mbështetje në realizimin e këtij projekti”, tha Bekolli.
Ky projekt është me mbështetje të UN Women. /2LONLINE/