Serbia nuk ka pranuar të nënshkruajë një Deklaratë Paqeje me gjashtë pika që e ka propozuar Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që pati në Bruksel me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në takimin e ndërmjetësuar nga shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, z. Joseph Borrell dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, z.Miroslav Lajçak, kryeministri Kurti shoqërohej nga zëvendëskryeministri për Dialog, Zhvillim dhe Integrim, Besnik Bislimi. Para takimit trilateral, kryeministri Kurti është takuar ndaras me z.Borrell dhe z. Lajçak.
Kryeministri Kurti ka insistuar në katër propozimet e tij që i ka bërë në takimin e 15 qershorit. Në takimin e dytë, kryeministri Kurti ka ofruar një Deklaratë të Paqes me gjashtë pika në të cilën palët do të zotoheshin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Ai po ashtu paraqiti edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës nëpërmjet barrierave kundër tregtisë së lirë. Të dyja u refuzuan nga Serbia. Kryetari i Serbisë i refuzoi dhe tre librat që iu dhanë gjatë takimit: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të zhdukur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimet e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.
Shkaku se pse nuk pat asnjë përparim ishte sepse delegacioni serb nuk pranoi përfshirjen e togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën” në tekstin e Deklaratës së Paqes.
Pas takimit, kryeministrit Kurti deklaroi se mosnjohja e së kaluarës kriminale të Serbisë dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë.
Ky ishte takimi i dytë në nivel liderësh i ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërsa javën e kaluar është mbajtur takimi i dy delegacioneve në nivelin e ekspertëve.