(2L ONLINE) – Duke pasur parasysh interesimin e banorëve të shumtë të ndjekur e të shpërngulur nga fshatrat e Malësisë së Bujanocit: Zarbicë, Priboc, Novosellë, Suharrën, Ramabuqë, Qarr, Gjergjec etj., këto ditë, nga përfaqësues të këtyre fshatrave, është formuar Këshilli Organizues për mbajtjen e Takimeve të Vendlindjes në fshatin Zarbicë.
Ismet Tafili nga sektori për Informim i Këshillit Organizues “Takimit të Vendlindjes-Zarbica 2014” ka thënë se ky Këshill Organizues ka filluar punën në përgatitjen e këtij takimi duke formuar edhe grupet punuese për veprimtaritë që do të organizohen në këtë takim të Vendlindjes.
“Pengesat e qarkullimit të lirë që janë paraqitur kohë pas kohe në kalimin e kufirit në pikën kufitare në Muhoc, për disa banorë të fshatrave të Malësisë me dokumente të Kosovës, besojmë se janë të tejkaluara dhe jemi të bindur se ky takim i Vendlindjes në fshatin Zarbicë do të jetë një nga takimet më të organizuara dhe më madhështore deri më tash”, thotë Tafili.
Sipas tij, në dy mbledhjet e mbajtura nga Këshilli Organizues për “Takimin e Vendlindjes – Zarbica 2014”, përveç tjerash është vendosur që, takimi të mbahet, më 03. 08. 2014 në fshatin Zarbicë. Për punën dhe mbarëvajtjen e Takimit të Vendlindjes, Këshilli Organizues do ta njoftojë opinionin publik në vazhdimësi. /2L ONLINE/