Me ftesë të kryetarit të Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, ka realizuar një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, më 20 – 22 shkurt 2017.
Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut…, të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare, gjatë kësaj vizite zyrtare u pritën nga nënkryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Valentina Leskaj.
Në këtë takim u diskutua dhe u vlerësua ndihma jashtëzakonisht e çmueshme që autoritetet dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë, po japin për Republikën e Kosovës, si në rrafshin e integrimeve evropiane, ashtu edhe për përfaqësimin dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, me theks në Këshillin e Evropës, në UNESCO dhe në EUROPOL.
Nënkryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, në lidhje me çështjen e mbajtjes padrejtësisht të Ramush Haradinajt në Francë nga ana e autoriteteve franceze, theksoi se kjo çështje duhet të mbyllet sa më parë, me lirimin e tij.
Takimi i radhës u mbajt me kryetaren e Nënkomisionit për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore, Dhunës në Familje, Olta Xhaçkaj, ku ishin të pranishëm edhe anëtarë tjerë të këtij nënkomisioni. Në këtë takim u shtjelluan çështjet më specifike që kanë të bëjnë me legjislacionin e fushës së të drejtave të njeriut, me theks të mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve, përvojat dhe sfidat.
Anëtarët e Komisionit më pas u takuan me Fatmir Xhafajn, kryetar i Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Në këtë takim ata u njoftuan me fushëveprimin e këtij Komisioni si dhe për reformën e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, e cila është në proces.
Takimi i fundit ishte ai me Avokatin e Popullit të Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani.
Në këtë takim, mes tjerash, anëtarët e Komisionit, u njoftuan me kontributin shumë të madh që Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë ka dhënë për anëtarësimin me të drejta të plota të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, në organizata dhe forume ndërkombëtare të Ombudsmanëve.