Në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal në Gjilan, pas diskutimeve të pikës së dytë, në të cilën ishte futur edhe propozimi për rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e Planeve Rregulluese, ku përfshihej edhe objekti i burgut famëkeq të qytetit, Grupi ynë i Këshilltarëve Komunal (pa ndonjë konsultim e koordinim paraprak!) braktisëm seancën e punës, duke iu bashkëngjitur pjesës tjetër të opozitës: LVV-së.
Nga: Shefik Surdulli / këshilltar komunal nga PDK-ja e Gjilanit
Meqë në njërën prej seancave të KK-së kisha kërkuar sqarim – përgjigje, lidhur me kerkesën e Shoqatës së të Burgosurve Politik të Degëve: Gjilan, Kamenicë dhe Viti, për të cilën çështje nga autoritetet përgjegjëse të Komunës kisha marr përgjigje pozitive se një pjesë e burgut do të mbetej MUZE, dhe i cili si i tillë do të inkorporohet në projektin e Administratës së re Komunale, une përsëri kërkova që kjo të evidencohet edhe në vendim, respektivisht në nenin 2, të këtij vendimi që do të merrej në vijim.
Ky propozim i imi do të mbështetej nga Kuvendi, sepse Komuna paraprakisht ishte zotuar për këtë, mirëpo, për shkak se në kuadër të kësaj pike të rendit të ditës ishte vënë edhe propozim-vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në zonat e Planeve Rregulluese Urbane në Gjilan, në grupin tonë të PDK-së u krijua një situatë konfuze – anarkike, që rezultoi me braktisjen e seancës nga të gjithë ne bashkërisht.
Projekti i Administratës së re Komunale, në vendin ku është planifikuar të ngritet, ishte në planifikimet rregulluese urbane edhe të PDK-së në mandatin e saj qeverisës.
Pavarësisht situatës politike nëpër të cilën po kalojmë, PDK është subjekt politik në vete, dhe në KK, nëpërmjet këshilltarëve të saj, është për të përfaqësuar interesat e qytetarëve përmes programit e projekteve të saj politike – zhvillimore alternative, si partia e parë opozitare (numerikisht), e assesi të luaj rol tjetër, e aq më pak inferior.
Prandaj, me keqardhje ju drejtohem të burgosurve politik shqiptarë, respektivisht Degëve të SHPBK: Gjilan, Viti, Kamenicë, se për arësyet e lartëshënuara (duke qenë edhe sponzorizues, në njëfarë mënyre, i kërkesës së tyre), nuk isha pjesë e vendimit final për BURGUN MUZE të Gjilanit!
Ndërkaq, e falënderoj kolegen e nderuar znj. Festa Shabani, e cila propozimin tim e kishte sforcuar në vendimin që ishte marrë sot, në vazhdimin e seancës së djeshme, që një pjesë e burgut famkeq të Gjilanit – rrugë e mundimshme nëpër të cilat kanë kaluar me shumë sakrifica: ideologë e patriot frymëzues të luftës sonë për liri e bashkim kombëtar, të mbetet MUZE! /2LONLINE.com/