“Ndonëse me vonesë, megjithatë është lajm i mirë, se prokuroria e Gjilanit ka ngritë aktakuzë kundër përgjegjësit të prokurimit në komunën e Gjilanit, z. Salih Kqiku, i dyshuar për zhdukjen e disa lëndëve tenderuese, sikundër që priten edhe ndjekje tjera penale ndaj drejtorëve tjerë të dyshuar për keqpërdorime të detyrës zyrtare”, ka thënë Shefik Surdulli, Këshilltar Komunal dhe sekretar I Degës së PDK në Gjilan.
Sipas tij, në qershorin e vitit të kaluar, PDK në Gjilan, e kishte ngritur shqetësimin e saj për katandisje të qeverisjes komunale, me theks të veçantë për këto manipulime në arkivin kryesor të zyrës së prokurimit, përmes së cilës mbase ishte konstruktuar rrëfimi për ngritjen e aktakuzës ndaj disa zyrtarëve të qeverisjes së atëhershme komunale të PDK-së, me në krye z. Qemajl Mustafa, ish kryetar komune, ndaj të cilëve edhe më tutje drejtësia nuk e ka prerë punën e saj për ta shpallur pafajësinë e tyre.
“Situatën, në këtë relacion, e kishte bërë më të qartë edhe një burim yni, një dokument zyrtar (shih kopjen e dokumentit), i përpiluar më datën 24.10.2014, nga tre zyrtarët komunal; Vehbi Geci (zyrtar i prokurimit), Halit Rexhepi (drejtor i drejtorisë komunale për Siguri dhe Emergjencë), si dhe vet drejtori i Departamentit të Prokurimit z. Salih Kqiku, ku përshkruhet qartazi gjendja kaotike dhe e pasigurisë së lartë të lëndëve arkivore të tenderimeve, në të cilën, në mënyrë “misterioze” ishte vendosur një Organizatë Jo Qeveritare (OJQ)”, ka thënë tutje Surdulli.
Prandaj, sipas tij, përgjigjen se pse ishte thyer arkiva kryesore e zyrës së prokurimit dhe pse në të ishte vendosur kjo organizate – OJQ (që e konstatojnë në procesverbal edhe vet zyrtarët e komunës), prokuroria duhet ta kërkojë te kryetari Lutfi Haziri, si autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe ekzekutiv i komunës, i cili edhe sot proklamon qeverisje me „duar të pastra“.
“Kështu siç ka filluar, qeverisja e Lutfi Hazirit, edhe në këtë mandat, më shumë do të përballet me prokurorinë e gjyqësinë, se sa me hallet e qytetarëve, të cilët ia dhanë besimin për të dytën herë radhazi”, ka thënë Surdulli i PDK-së, për të shtuar se këtij reagimi, i bashkëngjitet kopja e procesverbalit siç e ka përmend më lart si dhe fotot e gjendjes në arkivin e zyrës kryesore të prokurimit, gjatë qeverisjes së PDK deri më 2013 dhe pas saj.